Shkup, 10 tetor, NOA - Maqedonia pret të përballet me bllokadën e përsëritur greke kundër anëtarësimit në strukturat euroatlantike.
Diplomatët evropian deklarojnë se, Maqedonia nuk do të jetë në agjendën e samitit të ardhshëm të NATO-s i cili do të mbahet në Lisbonë gjatë muajit nëntor të këtij viti. Ata thonë se situata mund të ndryshojë vetëm nëse do të arrihet ndonjë progres lidhur me kontestin e emrit.
Një zyrtar i lartë i NATO-s ka deklaruar gjërat janë shumë të qarta dhe se Shkupi s`ka se pwrse tw presw lajm të mirë nga Samiti i Lisbonës.
“Gjërat janë të pastruara, nuk mund të ketë ftesë për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO, sepse nuk është tejkaluar kontesti i emrit me Greqinë. Procedura e pranimit në NATO duhet të kalojë edhe nëpërmjet pëlqimit në parlamentet e vendeve anëtare, ajo do të thotë e njëjta të kalojë edhe në parlamentin e Greqisë, gjë që nuk është e mundur”, ka deklaruar zyrtari i lartë i NATO-s.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen gjithashtu ditë më parë theksoi se është vështirë anëtarësimi i Maqedonisë në NATO me referencën FYROM.
“Vendimi i Samitit të Bukureshtit është i qartë, sepse duhet të arrihet një zgjidhje e pranueshme dhe se të gjitha vendimet e Aleancës miratohen me konsensus”, theksoi Rasmusen.
I pyetur se a ka mënyrë që të shmanget konsensusi brenda Aleancës, sekretari i përgjithshëm Rasmusen ka mohuar një gjë të tillë. “Është mëse e qartë se në NATO të gjitha vendimet patjetër duhet të miratohen me konsensus”, deklaroi ai.
Rasmusen ka përjashtuar mundësinë e presioneve ndaj Greqisë si anëtare e NATO-s, që të jetë më fleksibile sa i përket problemit të emrit të Maqedonisë.
Krerët e vendeve anëtare të Aleancës pas rezultatit negativ për Maqedoninë, pritet të japin sinjale të sërishme që problemi i emrit të gjejë zgjidhje urgjente sa më shpejtë që është e mundur për ti hap rrugën proceseve integruese euroatlantike të Maqedonisë. NOA/INA