English

Mbahet në Tiranë takimi i SEDM, zyrtarë të Mbrojtjes nga 17 vende

Tiranë, 10 tetor, NOA – Ministeriali i ministrave të Mbrojtjes së Europës Juglindore, i njohur ndryshe dhe me emrin SEDM (Southestern European Defense Ministerial), do të mblidhet gjatë dy ditëve të ardhshme në kryeqytetin shqiptar.

Lajmi bëhet me dijeni nga burimet zyrtare të ministrisë së Mbrojtjes, sipas të cilave, ky është një takim i rëndësishëm jo vetëm për Forcat e Armatosura, por për gjithë sektorin e mbrojtjes për 17 vende.

Kjo në fakt është një nga ngjarjet më të spikatura të FA, koha dhe vendi për të shpalosur rolin aktiv e dhe shfaqur vlerat më të mira që manifestojnë Forcat e Armatosura, tashmë anëtare të NATO-s.

Procesi i SEDM-it, përfaqëson një angazhim politiko-ushtarak të vendeve të Europës Juglindore për forcimin e paqes, sigurisë dhe klimës së mirëbesimit.

Gjatë kryesimit të këtij procesi nga vendi ynë në vitet 2005-2007, u afruan me statusin e vëzhguesit Bosnje-Hercegovina, Mali i Zi, Gjeorgjia dhe Serbia.

Sot janë plote 14 vende anëtare në SEDM: Shqipëria, SHBA, Bullgaria, Greqia, Italia, Maqedonia, Rumania, Turqia, Kroacia, Sllovenia, Ukraina, Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi dhe Serbia, ku dy vendet e fundit anëtarësohen me të drejta të plota në këtë takim të radhës që zhvillohet në Tiranë, më 11-12 tetor 2010.

Ndërkohë, Gjeorgjia dhe Moldavia vijnë në Tiranë me statusin e vëzhguesit.

Procesi i SEDM-it përfshin Iniciativën e MPFSEE, njohur ndryshe edhe me emrin SEEBRIG, një angazhim ushtarak i vendeve të rajonit dhe një numër të konsiderueshëm projektesh si: SEESIM CBSC, SIMIHO, SEEDIRET, SEMEC etj.

n.e/NOA

KOMENTE