English

Një vit i ri studimesh

Mesazh për vitin akademik 2010-2011

Nga Myqerem Tafaj

Nesër fillon viti i ri akademik 2010-2011. Me këtë rast dëshiroj të përshëndes dhe tu uroj të gjithë studentëve dhe pedagogëve.

Suksese në vitin akademik 2010-2011 !

Fillimi i këtij viti akademik përkon me një ngjarje të madhe historike për shqiptarët: liberalizimin e vizave. Studentët dhe pedagogët do të jenë përfituesit kryesorë në këtë proces.

Së pari dëshiroj të uroj studentët, dhe në mënyrë të veçantë ata që nisin këtë vit udhën e bukur universitare!

Të nderuar kolegë pedagogë dhe profesorë.

Më lejoni t’u uroj punë të mbarë dhe suksese në këtë vit akademik dhe t’u shpreh mirënjohjen time të thellë për punën e palodhur dhe shumë të përkushtuar që bëni në përgatitjen e studentëve.

Shfrytëzoj rastin e fillimit të vitit akademik për t’u shprehur mirënjohje të gjithë ish-pedagogëve dhe profesorëve që punuan me përkushtim dhe me pasion për zhvillimin e arsimit tonë të lartë gjatë gjashtë dekadave.

Në universitetet tona publike janë regjistruar rreth 21000 studentë të rinj, me kohë të plotë, në 181 degë dhe profile studimi.

Qeveria planifikon rreth 8130 studentë me kohë të pjesshme për studimet universitare Bachelor.

Kjo do të thotë se me këtë numër kuotash që ka miratuar Qeveria për universitetet publike, mbi 70% e maturantëve që kanë përfunduar me sukses Maturën Shtetërore kanë mundësi reale për të vijuar studimet universitare në universitetet publike,me kohë të plotë ose të pjesshme.

Ndërsa në studimet universitare të nivelit Master deri tani janë miratuar 10640 kuota ose vende studimi. Janë ende disa drejtime studimi në proces miratimi. Vlerësoj se mund të ofrohen edhe rreth 1500 kuota të tjera për studime Master në drejtime të reja.

Në shkollat e larta private janë krijuar kapacitete për të thithur një numër të konsiderueshëm studentësh.

Të dhënat e mësipërme tregojnë se këtë vit akademik, universitetet publike thithin rreth 40000 studentë të rinj në të dy nivelet, Bachelor dhe Master. Ky është një sukses shumë i rëndësishëm për vendin tonë. Ai është shprehje e interesit shumë të madh që kanë të rinjtë tanë për tu shkolluar në nivelin tretësor, në mënyrë që të rrisin shanset e tyre për punësimi dhe një jetë më të mirë.

Pranimet e këtij viti akademik dallohen për një orientim të theksuar drejt kërkesave të zhvillimit ekonomik dhe tregut të punës.

Prioritet kanë degët e orientuara në IT, shkencat inxhinierike dhe shkencat natyrore. Një e treta ( 33 %) e numrit të kuotave i përkasin IT, shkencave teknike, matematikës dhe fizikës.

Në IT dhe fushat e lidhura me të, ofrohen 20 degë ose diploma të ndryshme dhe pranohen rreth 19% e studentëve të rinj.

Në degët e ekonomisë dhe biznesit (që janë afër tregut të punës) do të studiojnë rreth 20 % e studentëve.

Në degët e shkencave biologjike, bujqësisë, ushqimit dhe bioteknologjisë do të studiojnë rreth 7 % e studentëve.

Në degët e fushës së shëndetësisë do të pranohen rreth 6.3 % e numrit total të studentëve.

Kuotat e degëve të gjuhëve të huaja zënë rreth 7 % të numrit total, ku mbi 70% i përkasin gjuhës angleze.

Janë reduktuar dukshëm kuotat në degët e mësuesisë dhe në degët e shkencave sociale.

Të dashur studentë dhe pedagogë,

Shqipëria ka arritur të përmbushë objektin madhor për liberalizimin e AL,

Ky sukses u arrit falë përkushtimit dhe gatishmërisë së profesoratit dhe drejtuesve të universiteteve publike për liberalizimin e pranimeve. Në këtë kontekst nuk mund të lihet pa përmendur edhe kontributi i sektorit të arsimit të lartë privat.

Të dashur studentë dhe pedagogë,

Tani që liberalizimi u përmbush, sfida jonë mbetet CILËSIA. Prandaj, motoja e këtij viti akademik është CILËSIA!

Cilësia e shkollimit është një sfidë afatgjatë e sistemit tonë arsimor. Ajo do të përcaktojë shanset reale të të diplomuarve në tregun e punës dhe do të bëjë diferencën reale midis shkollave të larta.

Faktori kyç është profesorati. Qytetarët shqiptarë i kanë bërë një shërbim shumë të madh vendit duke investuar pa kursim për shkollimin e të rinjve, brenda dhe veçanërisht jashtë vendit, madje edhe në universitetet më të mira te botës. Sot Shqipëria ka një potencial shumë të madh të të shkolluarve me nivel të lartë që mund të bëhen asistentë dhe pedagogë të talentuar.

Universitetet kanë prej vitesh autonomi të plotë në përzgjedhjen dhe emërimin e profesoratit. Gara do të fitohet nga ai universitet që arrin të përzgjedhë më të mirët. Kualifikimi i shpejtë i profesoratit të ri në arsimin e lartë do të mbështetet edhe më tej përmes Fondit të Ekselencës dhe Programit Brain Gain. Shkollat e larta private duhet të shpejtojnë në rekrutimin e një numri të mjaftueshëm dhe me kualifikimin e duhur shkencor të pedagogëve me kohë të plotë.

Kapacitetet hapësirore dhe laboratorët janë faktori tjetër i rëndësishëm i cilësisë. Ne jemi të vetëdijshëm që liberalizimi nuk ka ecur krejtësisht paralelisht me investimet. Sistemi i AL kërkon më shumë investime dhe realizimin më të shpejtë të tyre. Strategjia e filluar me dhënien e kampusit Universitetit “Ismail Qemali” të Vlorës do të vazhdojë me të gjitha universitetet e tjera publike. Këtë vit u financuan rreth 50 projekte të reja për laboratorë mësimorë –shkencorë në universitetet publike. Ky program do të vazhdojë edhe në vitin 2011.

Të dashur studentë dhe pedagogë,

Cilësia është një sfidë e vështirë. Ne nuk duhet të rreshtim përpjekjet tona për rritjen e saj. Ne jemi vend i vogël por me potenciale të mëdha në garën e dijes. Le ta marrim atë me optimizëm.

Edhe njëherë ju uroj suksese në vitin e ri akademik!

KOMENTE