Poro, Greqi, 10 tetor 2010 NOA – Tre shqiptarë u kapën në flagrancë pas një operacioni të kryer në mënyrë të njëkohshme në tre banesat e tyre si dhe mjedise të tjera që ata përdornin për të trafikuar lëndë narkotike, raporton korrespondenti i agjencisë NOA.
Policia e Poros në Greqi tha se operacionet u kryen në lokalitetet Argolidha dhe Trizinia e Namblio.
Të arrestuarit janë një 46 vjeçar, një 41 vjeçar si dhe një 28 vjeçar, që të tre emigrantë shqiptarë me qëndrim të rregullt në Greqi.
Në kontrollet e kryera u zbuluan 11.5 kilogramë lëndë narkotike e llojit hashash që u kapën në një bodrum që kontrollohej nga 28 vjeçari, 106 gramë kokainë që u gjet në banesën e 46 vjeçarit si dhe 26 gramë të tjera në banesën e 41 vjeçarit së bashku edhe me një pistoletë me 13 fishekë.
Veç këtyre materialeve policia antidrogë sekuestroi edhe dy makina që tha se tre shqiptarët i përdornin për trafik droge, katër telefona celularë dhe një sasi të madhe eurosh.
n.s/NOA