Tepelenë, 11 tetor, NOA – Banorët e fshatit Turan në rrethin e Tepelenës janë hedhur sot në protestë, kunder demontimit të armëve që bëhet pranë shtëpive të tyre, duke deklaruar se kanë shumë frikë nga një proces i tillë.
Në kundërshtim të tij, ata kanë dalë të gjithë sot në rrugë, duke protestuar dhe duke bllokuar të gjitha makinat ushtarake që kalojnë aty pranë për të realizuar procesin e demontimit me shpërthim të municioneve ushtarake të mbetura aty pranë, të depozituara që nga koha e komunizmit.
Ndërsa mjetet e ushtrisë kalonin të ngarkuara me municion, banorët e kanë bllokuar rrugën dhe nuk i kanë lejuar ato të kalojnë.
Banorët, të revoltuar janë shprehur se kanë frikë nga demontimet me shpërthim, se mos dëmtohen nga ndonjë pakujdesi e rastit, e mundshme për të ndodhur gjatë këtij procesi.
Në rrethin e Tepelenës, para disa vitesh, nga procesi i demontimit në fshatin Dhëmblan u shkaktuan dëmtime, gjë e cila duket se nuk është harruar as sot nga banorët e Turanit.
n.e/NOA