English

Bashkia e Tiranës, plan me shkollat për transportin e nxënësve

Tiranë, 11 tetor, NOA - Bashkia e Tiranës organizoi sot një takim publik me përfaqësues të institucioneve arsimore private, bordin e prindërve, për të bashkëbiseduar mbi kushtet dhe mundësitë e përmirësimit të shërbimit të transportit të organizuar të nxënësve në shkollat e kryeqytetit, duke nisur nga shkollat dhe kopshtet private, ku ky shërbim ofrohet aktualisht nga shkolla.

Synimi i diskutimeve në takim ishte edhe përmirësimi i lëvizjes, si faktor që ndikon pozitivisht në çështjen e trafikut në qytet.

I pranishëm në këtë bashkëbisedim, kreu i Bashkisë së Tiranës Edi Rama, vuri theksin në domosdoshmërinë e koordinimit të punës mes palëve të përfshira në këtë proces, me qëllim krijimin e një shembulli pozitiv dhe si rrjedhojë rritjen e cilësisë së këtij shërbimi në institucionet arsimore të kryeqytetit.

“Ky problem mund të zgjidhet nëse të gjitha palët e përfshira bëjnë më të mirën e tyre dhe duke koordinuar punën me njëri-tjetrin. Ajo që na shtyu të organizojmë këtë bashkëbisedim, është se hasim në shumë raste në probleme që ngrihen nga vetë shkollat dhe njëkohësisht nga pamundësi në shumë raste për t’i zgjidhur këto probleme, edhe pse janë të zgjidhshme. Këto janë probleme të zgjidhshme, por kërkojnë bashkëpunim mes të gjitha palëve, mes shkollës, familjeve dhe vetë Bashkisë. Për sa na takon, jemi shumë të gatshëm që të japim maksimumin tonë, për të ndikuar në zgjidhjen e drejtë të këtyre problemeve që janë “të vogla”, por që pastaj janë të mëdha në menaxhimin e përditshëm të aktivitetit të shkollës”, tha ai në fjalën e tij.

Duke shtuar se ajo që Bashkia e Tiranës ka menduar, është adoptimi i disa praktikave pozitive të vendeve të tjera, një prej elementeve të të cilave është “menaxheri i mobilitetit ose lëvizjes”, që do të thotë se çdo shkollë ka një person i cili është i ngarkuar ekskluzivisht me lëvizjen e nxënësve apo fëmijëve të vegjël, në të gjithë trajektoren nga shkolla në shtëpi, duke pasur një hartë të saktë të vendodhjes së çdo nxënësi dhe pastaj një plan për të realizuar lëvizjen e të gjithëve së bashku, të ndarë në kategori të ndryshme. “Sigurisht që mund të bëjmë shumë duke e koordinuar punën tonë dhe duke bashkërenduar të gjitha opinionet dhe duke i shkuar pas idesë më të mirë. Nuk kemi pse kërkojmë një uniformizim të planit tonë në të gjithë territorin. Çdo shkollë ka specifikat e veta, ka vendodhjen e vet specifike, apo në kontekste të tjera mund të kemi mundësi të rrisim përdorimin e biçikletës, duke e nxitur këtë mjet, për shkak se na e lejon vendodhja, për shkak se e lejojnë distancat dhe terreni, ashtu sikundër në raste të tjera, ndjekim një rrugë tjetër”, shtoi më tej kreu i Bashkisë së Tiranës.

Në fund, dha porosinë që secila prej shkollave të ndërtojë një draft, për një plan të mundshëm bashkëpunimi me ne dhe mbi bazën e këtij drafti, ne të fillojmë të hedhim një kalendar detyrash të përbashkëta, ku secila palë të bëjë pjesën e vet e pastaj në një kohë të arsyeshme, t’i japim formë konkrete atij plani.

“Unë jam i bindur se mundësitë për të përmirësuar ndjeshëm lëvizjen e nxënësve në vajtje – ardhje nga shkolla janë të plota. Ajo që na duhet, është që të marrë secila palë përgjegjësitë e veta dhe të ndërtojmë një plan bashkëpunimi, në mënyrë që shkollë më shkollë të kemi një hartë të përcaktuar lëvizjesh dhe përgjegjësish, ku ne jemi të gatshëm të marrim përsipër të gjitha detyrat tona”, përfundoi fjalën e tij kryebashkiaku Rama.

n.e/NOA

KOMENTE