English

Berisha-Vershbou: Shqipëria, e vendosur për paqen në rajon

Tiranë, 11 tetor, NOA - Kryeministri Berisha priti sot në një takim Ndihmës Sekretarin e Mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Alexander Vershbou, të cilit i shprehu mirënjohjen më të thellë për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, si dhe për mbështetjen, përkrahjen dhe ndihmën e jashtëzakonshme që SHBA i kanë dhënë dhe vazhdojnë t’i japin Shqipërisë në fushën e mbrojtjes.

Vershbou pasi e falënderoi kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë dhe miqësore dhe i përcolli atij përshëndetjet më të përzemërta të Sekretarit të Mbrojtjes së SHBA-ve Robert Gates, si dhe i ripohoi vendosmërinë Departamentit të Mbrojtjes e qeverisë amerikane për të punuar ngushtësisht edhe në të ardhmen për sa i përket reformës në sektorin e mbrojtjes.

Duke vlerësuar arritjen e madhe të Shqipërisë anëtarësimin në NATO, Vershbou theksoi se pak kush do ta besonte kur ne, së bashku, filluam këtë rrugë të mbarë, në vitin 1991, e cila është kthyer sot në realitet me Shqipërinë anëtare të plotë të NATO-s.

Në këtë kontekst, Vershbou i shprehu kryeministrit Berisha falënderimet për kontributin e Shqipërisë në shërbim të paqes e sigurisë në misionet e NATO-s në Afganistan e gjetkë, duke theksuar se ne jemi krenarë që Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe partnerë të ngushtë të SHBA.

Në veçanti, ndihmës-sekretari Vershbou vlerësoi kontributin e ushtarakëve shqiptarë me mision në Kandahar.

Më tej, në takim, u vlerësuan përpjekjet dhe puna e bërë gjatë kësaj periudhe për reformën në forcat e armatosura, në veçanti për shkatërrimin e municioneve dhe arsenaleve të vjetra të trashëguara nga regjimi komunist. Kryeministri Berisha ripohoi vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të vijuar mbështetjen financiare e të gjithanshme ndaj reformës në sektorin e mbrojtjes duke shprehur edhe njëherë mirënjohjen e thellë për mbështetjen dhe ndihmën e çmuar që SHBA i ka dhënë Shqipërisë për modernizimin dhe transformimin e forcave të armatosura.

Në takim u përsërit vullneti i të dy qeverive dhe vendeve për të vijuar dhe thelluar bashkëpunimin si aleat në aleancën politiko-ushtarake më të suksesshme të kohërave, por edhe për të vijuar bashkëpunimin e ngushtë e të gjithanshëm në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë në dobi të të mirës së të dy popujve miq.

n.e/NOA

KOMENTE