English

Bozdo citon raportin e KE: Investimet e huaja në Shqipëri, sivjet u rritën me 18.7%

Tiranë, 11 tetor, NOA - Investimet e huaja direkte në Shqipëri, kanë shënuar një rritje prej 18.7% më shumë se 6-mujori i parë i vitit 2009.

Kështu ka bërë me dije sot zv/ministri i Ekonomisë, Eno Bozdo, gjatë një konference për shtyp, duke theksuar se ky është një ndër konkluzionet kryesore pozitive që përmbahen në raportin e fundit të përgatitur nga Drejtoria e Përgjithshme e Ekonomi-Financës pranë Komisionit Europian mbi ekonominë shqiptare.

Raporti merr në konsideratë zhvillimet e fundit të ekonomisë shqiptare, treguesit kryesorë makro-ekonomikë të saj, të vendosur në kontekstin rajonal dhe duke i krahasuar dhe me vendet e tjera të rajonit, të cilat janë aspirante për t’u bërë anëtare të Bashkimit Europian. Dhe citon, sipas Bozdos, faktin se edhe në tre mujorin e dytë të vitit 2010 ekonomia shqiptare vazhdon të rritet, shifër kjo që është konfirmuar edhe nga INSTAT, pra një rritje e ekonomisë shqiptare me 3%.

“Raporti thekson gjithashtu që në krahasim me vitin e kaluar, në gjashtë mujorin e parë të vitit 2010 të ardhurat fiskale u rritën me 5.7%, ndërsa në mënyrën se si është hartuar dhe projektuar buxheti i shtetit, është planifikuar që në fund të vitit defiçiti buxhetor të reduktohet në masën 3.1%”, bëri me dije ai.

Duke shtuar ndër të tjera edhe faktin se raporti cilëson se inflacioni është nën kontroll, brenda kufijve të shpallur si target të Bankës së Shqipërisë dhe që monedha vendase vazhdon të jetë në një kurs stabël kundrejt euros, dhe që ka fituar 9 pikë kundrejt monedhës tjetër, dollarit amerikan.

“Do të thoja gjithashtu se raporti konfirmon një fakt tjetër shumë të rëndësishëm, që është rritja e depozitave bankare, e verifikuar në gjashtë mujorin e parë të vitit 2010 kundrejt gjashtë mujorit të parë të vitit 2009, me 17%, ku veçanërisht depozitat në valutë të huaj dhe në euro kanë njohur një rritje të jashtëzakonshme, me afërsisht 25%”, shtoi numri dy i Ekonomisë në vendin tonë.

n.e/NOA

KOMENTE