Shkodër, 11 tetor, NOA – Gjykata e Shkodrës i ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” paraditen e sotme, burrit i cili vrau gruan e tij pak ditë më parë.
Siç raportohet për agjencinë e Lajmeve NOA, Gjelosh Mehmetaj, 34 vjeç, lindur në fshatin “Curraj i Epërm” të Tropojës dhe banues në qytetin e Shkodrës, ka dëshmuar sot në seancën gjyqësore të parë ndaj tij se ai ndërmori aktin e vrasjes të shoqes, pasi ajo nuk i la rrugë tjetër.
“Kishim probleme ekonomike dhe isha në depresion prej tyre”, ka nisur rrëfimi i 34-vjeçarit.
Duke shtuar më tej se gruaja e tij prej sherreve dhe probleme të vazhdueshme donte që të largohej nga shtëpia dhe ai ndaj mori vendimin për ta vrarë.
Ndërkaq, gruaja që mbeti e vrarë gjatë fundjavës në Shkodër, ishte viktimë vazhdueshme e dhunës fizike nga i shoqi, ndaj bashkë me fëmijët ishte detyruar të largohej nga shtëpia ku ndanin jetën bashkëshortore, për t’u strehuar tek i vëllai.
E ndjera, Mimoza Gorshiti, 32 vjeç, lindur në Lezhë dhe banuese në Shkodër, u qëllua me thikë duke humbur jetën pak çaste më pas, ndërsa ndodhej në banesën e vëllait të saj.
n.e/NOA