English

Çelet viti i ri akademik, për herë të parë në universitete publike 21 mijë studentë

Tiranë, 10 Tetor 2010 NOA – Ka nisur sot viti i ri akademik në të gjitha universitetet publike për afro 150 mijë djem e vajza. Për vitin e parë, janë regjistruar rreth 21000 studentë të rinj, me kohë të plotë, në 181 degë dhe profile studimi.

Sakaq, sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, Qeveria planifikon rreth 8130 studentë me kohë të pjesshme për studimet universitare Bachelor.

Kurse ministri i Arsimit dhe Shkencës bëri të ditur se këtë vit akademik, universitetet publike thithin rreth 40 000 studentë të rinj në të dy nivelet, Bachelor dhe Master.

Qeveria ka planifikuar rreth 8130 studentë me kohë të pjesshme për studimet universitare Bachelor.

Kjo do të thotë se me këtë numër kuotash që ka miratuar Qeveria për universitetet publike, mbi 70% e maturantëve që kanë përfunduar me sukses Maturën Shtetërore kanë mundësi reale për të vijuar studimet universitare në universitetet publike, me kohë të plotë ose të pjesshme.

Ndërsa në studimet universitare të nivelit Master deri tani janë miratuar 10640 kuota ose vende studimi. Janë ende disa drejtime studimi në proces miratimi. Tafaj thotë se mund të ofrohen edhe rreth 1500 kuota të tjera për studime Master në drejtime të reja.

Nga ana tjetër ai vlerëson se në shkollat e larta private janë krijuar kapacitete për të thithur një numër të konsiderueshëm studentësh.

Të dhënat e mësipërme tregojnë se këtë vit akademik, universitetet publike thithin rreth 40000 studentë të rinj në të dy nivelet, Bachelor dhe Master.

Për ministrin Tafaj, ky është një sukses shumë i rëndësishëm për vendin tonë. Ai është shprehje e interesit shumë të madh që kanë të rinjtë tanë për tu shkolluar në nivelin tretësor, në mënyrë që të rrisin shanset e tyre për punësimi dhe një jetë më të mirë.

Ministri tha se pranimet e këtij viti akademik dallohen për një orientim të theksuar drejt kërkesave të zhvillimit ekonomik dhe tregut të punës.

Prioritet kanë degët e orientuara në IT, shkencat inxhinierike dhe shkencat natyrore. Një e treta ( 33 %) e numrit të kuotave i përkasin IT, shkencave teknike, matematikës dhe fizikës.

Në IT dhe fushat e lidhura me të, ofrohen 20 degë ose diploma të ndryshme dhe pranohen rreth 19% e studentëve të rinj.

Në degët e ekonomisë dhe biznesit (që janë afër tregut të punës) do të studiojnë rreth 20 % e studentëve.

Në degët e shkencave biologjike, bujqësisë, ushqimit dhe bioteknologjisë do të studiojnë rreth 7 % e studentëve.

Në degët e fushës së shëndetësisë do të pranohen rreth 6.3 % e numrit total të studentëve.

Kuotat e degëve të gjuhëve të huaja zënë rreth 7 % të numrit total, ku mbi 70% i përkasin gjuhës angleze.

Sakaq janë reduktuar dukshëm kuotat në degët e mësuesisë dhe në degët e shkencave sociale.

e.r/NOA

Lexoni mesazhin e plotë të Ministrit të Arsimit
KOMENTE