Beograd, 11 tetor, NOA – Gadishulli i Ballkanit do të ketë sot një mikeshë të veçantë, sekretaren amerikane të Shtetit Hillari Klinton, e cila ka ndërmarrë një vizitë të posaçme në disa vende të tij.
Siç bëhet me dije, axhenda e zyrtares së lartë amerikane në Ballkan nis me mbërritjen e saj të sotme në kryeqytetin boshnjak, Sarajevë, ku pritet që të takohet me autoritetet më të larta të Bosnjë-Hercegovinës.
Mësohet se në Sarajevë ajo do të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të godinës së re të ambasadës amerikane.
Ndërsa ditën e nesërme pritet që ajo të vizitojë Beogradin dhe pasnesër do të gjendet për një vizitë në Prishtinë.
"Pres me kënaqësi vizitat e mia në Beograd dhe Prishtinë dhe jo vetëm mundësinë për të biseduar me udhëheqësit e të dy vendeve, por edhe me qytetarët e tyre. Sepse është me rëndësi që qëllimi i asaj të ardhmeje të jetë i qartë në mendjet si të serbëve ashtu edhe të kosovarëve, sepse ekzistojnë çështje të vështira që ata duhet të zgjidhin. Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të ndihmojnë dhe të ndërmjetësojnë, të mbështesin dhe të vlerësojnë që palët të arrijnë marrëveshje me njëra-tjetrën. Por më në fund, u përket udhëheqësve dhe popujve të vendosin për të ardhmen e tyre”, ka cituar paraprakisht Klinton lidhur me vizitat e saj në Prishtinë dhe Beograd.
n.e/NOA