English

Këshilli Rinor Shqiptar: Raporte kontraktuale mes universiteteve dhe studentëve

Tiranë, 11 tetor, NOA - Këshilli Rinor Shqiptar përmes një deklarate ka përgëzuar sot nisjen e vitit shkollor universitar 2010-2011, duke i uruar institucionet shqiptare për punën e mirë të zhvilluar në drejtim të përmirësimit të strukturave arsimore, përgëzon studentët të cilët nisin sot studimet universitare, dhe duke u bërë thirrje për përkushtim më të madh ndaj realizimit të tyre në fushën akademike, si mundësi për të kontribuar në jetën e tyre dhe në cilësinë e shoqërisë shqiptare.

Duke ritheksuar arritjet në fushën e edukimit universitar, jo vetëm në drejtim të politikave dhe programeve të ndërmarra, por edhe në fuqizimin e teknologjisë online, si mjet i domosdoshëm për të siguruar cilësi, KRSH apelon për rritjen e pjesëmarrjes së studentëve në vendimmarrje, për të siguruar cilësi, transparence dhe fuqizim të demokracisë në administrimin e universiteteve shqiptare.

“Vlerësojmë rëndësinë që i është dhënë sistemit arsimor nëpërmjet buxhetimit gjithnjë në rritje, por pranojmë domosdoshmërinë për investime të mëtejshme në fushën e teknologjive online, në fushën e kërkimeve shkencore, si dhe nevojën për politika të rrepta për zhdukjen e korrupsionit, fenomen i cili afekton cilësinë dhe besimin ndaj këtyre institucioneve nëpërmjet një procesi transparent të administrimit të fondeve nga universitetet”, thuhet në këtë deklaratë.

Duke shtuar se Këshilli Rinor Shqiptar propozon vendosjen e marrëdhënieve kontraktuale midis universiteteve dhe studentëve për të mbrojtur studentët në raste mosmarrëveshjesh apo padrejtësish dhe për të siguruar një mënyrë të qëndrueshme për zgjidhjen e konflikteve midis palëve.

Për më tepër, duke vlerësuar zhvillimet aktuale në fushën e arsimit formal, procesin e përafrimit të legjislacionit me vendet e BE dhe zhvillimet e fundit për liberalizimin e vizave, KRSH njeh të tashmen, si moment kyç për finalizimin e Kartës së Studentit, e cila do të garantojë përfitimin e sa më shumë shërbimeve me kosto të ulët, në dobi të të rinjve shqiptarë.

n.e/NOA

KOMENTE