English

Meta: Shqiptarët janë lodhur nga bojkotet dhe fjalimet antiamerikane e antieuropiane

Tiranë, 11 Tetor 2010 NOA/ - “Shqiptarët janë lodhur nga bojkotet që cënojnë interesat e vendit sepse shqiptarët janë lodhur me fjalime anti-amerikane dhe anti-europiane”. Kështu u shpreh sonte, kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta në Konvetën e LSI së kryeqytetit.

Sipas z.Meta, “shqiptarët janë më të vendosur se kurr për integrim, për dinjitet dhe për të siguruar një të ardhme më të ndritur për të ardhmen e fëmijëve të tyre”.

Meta pohoi edhe se për gjashtë vjet anëtarët dhe simpatizantët e LSI kanë qenë në një presion të vazhdueshëm antidemokratik për shkak të zgjedhjeve dhe kodeve anti-LSI.

Më tej, z.Meta në fjalimin e tij tregoi se LSI u fut në koalicionin aktual qeverisës: “Ne jemi në një koalicion me PD për shkak të marrëveshjes e cila është marrëveshja për integrim dhe ne i kemi qëndruar dhe do i qëndrojmë kësaj marrëveshje sepse ajo është në interesin e të gjithë qytetarëve shqiptar. Sepse ajo është në shërbim të të gjithë shqiptarëve pa dallim partiake sepse interesat e vendit janë interesat më të rëndësishme për LSI”.

Gjithsesi Meta siguroi se “ne e kemi ruajtur dhe do e thellojmë indetitetin tonë si forcë politike e të majtës europiane, si një forcë politike që në themelin e saj ka solidaritetin dhe humanizmin, si forcë politike që ka preokupim kryesor shtresat më në nevojë të shoqërisë sonë”.

Meta foli dhe për aktivizimin e LSI në qeveri dhe u shpreh krenar që “gjatë këtij viti ne kemi arritur të konsolidojmë një proces jetik për integrimin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve”.

Këtu Meta vijoi: “Në një vit ne arritëm të përmbushim, jo pak por me qindra kushte nga udhërrëfyesi i Komisionit Evropian në mënyrë që qytetarët shqiptarë të fitojnë të drejtën për të udhëtuar më në fund të lirë në hapësirën Shengen të Bashkimit Evropian”.

Ai tha se “për këto arritje janë bërë me qindra ligje, vendime qeverie dhe akte të tjera nënligjore, për këto arritje janë bërë me dhjetëra miliona euro investime, jo vetëm për dokumentet e sigurisë së qytetarëve shqiptarë, por janë investime të jashtëzakonshme për të forcuar dhe noterizuar kufijtë e Shqipërisë për të sjellë në një standard të ri luftën kundër krimit të organizuar”.

Ndaj vlerësoi se “votimi i Parlamentit Evropian nuk ishte një dhuratë për Shqipërinë dhe shqiptarët, por ishte një mirënjohje dhe një vlerësim i arritjeve të jashtëzakonshme të Shqipërisë në më pak se një vit”.

e.r/NOA

KOMENTE