Tiranë, 11 tetor, NOA – “Nostrum, mesdheu nëpërmjet pesë shqisave” është lajtmotivi i vjeshtës kulturore spanjolle, që këtë vit mbërrin në edicionin e katërt.
Kjo është një ftesë që Ambasada e Mbretërisë së Spanjës i bën dashamirëve të artit në Shqipëri për të jetuar Mesdheun e çudirave më intensivisht, duke i hapur dyert e pesë shqisave tona ndaj aromave dhe shijeve të tij, ndaj miteve, arteve dhe kulturës, por gjithashtu është një ftesë për të reflektuar mbi vendin, që zë Mesdheu në imagjinatat tona respektive e kolektive.
Ambasada e Spanjës në Shqipëri e feston kështu edicionin e katërt të vjeshtës kulturore spanjolle në Shqipëri, në një takim me kulturën spanjolle, që pretendon të kontribuojë në njohjen e dyanshme, të reflektimit mbi çështjet e mëdha globale dhe takimin ndërmjet fantazive të Spanjës dhe Shqipërisë.
Në këtë rast ky takim imagjinatash i dedikohet Mesdheut, detit të përbashkët dhe hapësirës që bashkon dy vendet.
Këtë vjeshtë me “Mare Nostrum” do të shfaqen filma të kinemasë spanjolle në Javën e Kinemasë Spanjolle.
Ambasada e Mbretërisë së Spanjës thekson se aktivitetet e vjeshtës spanjolle do të nisin me Algeciras në Stamboll dhe ekspozitën e Antoni Clavé, me aromat dhe shijet që do të vijnë me anën e gastronomisë, si pjesë themelore e kulturës mesdhetare, e që do të realizohet në Ditët gastronomike, dhe në ekspozitën Foodjects, Diseño dhe Nueva Cocina Española, e ndërtuar mbi një shprehje gastronomike shumë avangardiste, ndërsa muzika do të vijë përmes koncerteve të Niño Josele dhe Mediterránea.
Zyra e shtypi t eambasadës spanjolle bën të ditur se objektiv tjetër i këtij edicioni të Vjeshtës Kulturore është të promovojë debatin mbi prezencën e Mesdheut në sfera të ndryshme të historisë dhe kulturës sonë, ku do të marrin pjesë tre shkrimtarë të mëdhenj bashkëkohorë spanjoll, Manuel Vicent, Eduardo Mendicutti dhe Antonio Soler.
Ata do të diskutojnë me publikun shqiptar mbi temën “Mesdheu: një det letërsie”, në të cilin do të bëhet një përshkim i pasur në faqet e Mare Nostrum, “detit tonë”.
Me rastin e inaugurimit të Vjeshtës Kulturore Spanjolle në Shqipëri, “Nostrum: Mesdheu nëpërmjet pesë shqisave”, që përkon me festimin e Ditës Kombëtare të Spanjës, 12 tetorin, Ambasadori i Spanjës në Shqipëri, Manuel Montobio do të mbajë një konferencë për prezantimin e kësaj vjeshte, e cila do të zhvillohet nesër, në orën 18.15 në Teatrin e Operas dhe Baletit.
Pas konferencës, nisjen e vjeshtës spanjolle do ta inaugurojë koncerti i kitaristit spanjoll i flamenkos Niño Josele.
mit/NOA