Tiranë, 11 Tetor, NOA - Në këtë hapësirë gjendet një pasqyrë e titujve të gazetave në Tiranë, për ditën e Hënë, 11 Tetor 2010. Ky është një shërbim që ofrohet me parapagim nga agjencia e Lajmeve NOA, në shqip, anglisht, italisht e greqisht.
Mundësia e parapagimit aktualisht ofrohet përmes abonimit dhe së shpejti, edhe përmes pagesës së shërbimit direkt me anë të kartës së kreditit. Për t’u abonuar në këtë shërbim dhe për t’u pajisur me një emër përdoruesi dhe kodin, dërgoni një kërkesë në adresën e E-mail: info@noa.al.
Gazetat shqiptare kanë si argument kryesor të ditës së sotme ligjin e ri për partitë politike dhe selitë e tyre. Ato paraqesin edhe deklaratat e bëra dje nga kryeministri Berisha për letrën e komisionerit Fyle mbi krizën politike. Sikundër, flasin edhe për nisjen e vitit të ri akademik 2010-2011. Ndërkaq, një argument tjetër i të përditshmeve sot është edhe ai i vizave, duke pasqyruar deklaratën e eurodeputetes Tanja Fajon se shqiptarët nuk duhet të abuzojnë me liberalizimin e tyre, në të kundërt BE i rikthen sërish.
E përditshmja “Shekulli” ka si argument kryesor të ditës “Kunati i Bregut pastron paratë e mafias”, që vijon me argumentin “Prudentino” në kuadër të të cilit akuzon indirekt ministren e Integrimit për përfshirje në afera.
Një artikull tjetër i kësaj gazete është ai me titullin “Aleanca, Berisha: Pro bashkëpunimit me Bollanon”.
“Greqia në krizë të thellë, shqiptarët i kthehen mërgimit”, është një artikull që citon fakte nga shifrat në rritje të kthimit të emigrantëve në atdhe.
“Universitetet, nis sot viti i ri akademik” është një artikull tjetër që do lexoni në këtë gazetë.
Gazeta “Panorama” publikon si artikullin e saj kryesor ditën e sotme atë me titullin “Tërhiqet qeveria/ Shtyhet ligji për selitë e partive”, i cili tregon detaje ligji i ri për selitë e partive dhe kuotat për formimin e një të tille.
Një artikull tjetër i kësaj gazete është edhe ai me titullin “Kastriot Islami: Pa LSI në koalicion, rrezikojmë 4 bashki të mëdha, Tirana në pikëpyetje”.
Ndërkaq, lidhur me arsimin e lartë në këtë të përditshme do të gjeni artikullin me titullin “Tafaj: Këtë vit akademik, do pranohen 83160 studentë part-time”.
Artikull tjetër i kësaj gazete është edhe ai me titullin “Pasaportat, zgjatet me 30 ditë afati i prodhimit”.
“Gazeta Shqiptare” ka si titull kryesor të saj “BE: Investitorët e huaj po ikin nga Shqipëria”, i cili tregon një raport të fundit të Bashkimit Evropian mbi investimet e huaja, duke përfshirë edhe vendin tonë me të dhënat përkatëse.
“Portret/ Tanja Fajon, deputetja që luftoi për vizat e shqiptarëve”, është një artikull tjetër i kësaj të përditshmeje i cili i referohet eurodeputetes së njohur.
Ndërsa në një artikull të veçantë në këtë të përditshme do të lexoni atë me titull “Janullatos: Ku po gënjen Kristo Frashëri/ Historiani: U fronësua në hotel Tirana” “Durrës, sekserët e tokës, sulmojnë Hamallajn” është një artikull tjetër që do lexoni në këtë gazetë.
Gazeta “Shqip” hapet me titullin kryesor “Mbështetja për qeverinë, 40.1%”, i cili tregon të dhënat e fundit të mbështetjes së qytetarëve për koalicionin qeverisës.
Një artikull tjetër i kësaj gazete është ai me titullin “Krijimi i partive, shumëfishohet numri i firmëtarëve”.
Ndërsa çështja e vizave mbërrin në numrin e sotëm të kësaj gazete përmes artikullit Tanja Fajon: Mos abuzoni, BE mund t’i rikthejë vizat”.
“Policia, operacione speciale me para borxh” është një artikull tjetër që do lexoni në këtë gazetë.
E përditshmja “Koha Jonë” hapet me titullin kryesor “Gjykatat dhe Kodi, ja kompromisi që ofron PD-ja”, i cili i referohet kushteve të vëna nga mazhoranca për zgjidhjen e dy ngërçeve të tanishme të skenës politike.
Artikull tjetër i kësaj gazete është edhe ai me titullin “Besnik Baraj: Me Berishën kryeprokuror, gjykatat nuk kanë vlerë”, referuar deklaratave të deputetit socialist.
Një artikull i veçantë i kësaj gazete është edhe ai me titullin “Bashkëqeverisja/ LSI sot në provë para elektoratit”.
Ndërsa në rubrikën “kronikë” do të lexoni “Kreshnik Spahiu: Emërimet e gjyqtarëve, ndryshime në Kushtetutë”.
n.e/NOA