Prishtinë, 11 tetor, NOA - Shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare në Prishtinë, Piter Feith, i ka thënë BBC-së se koha dhe ritmi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të ndikohen nga situata e krijuar me dorëheqjen e presidentit Sejdiu.
Por ai theksoi se për BE-në është shumë e rëndësishme që Prishtina të mos distancohet nga bisedimet me Serbinë teksa po shikohet për shpërbërjen e Kuvendit dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme.
Z. Feith që është edhe përfaqësues i BE-së në Kosovë, tha se Brukseli është i interesuar që edhe gjatë procesit zgjedhor në Kosovë, të mbetet e hapur mundësia e dialogut teknik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
Në intervistën dhënë BBC-së ai thotë se dialogu po përgatitet gradualisht nga ana e Bashkimit Evropian dhe për fillim, palët mund të diskutojnë çështje që janë më lehtë të zgjidhen.
Z.Feith nuk ishte në gjendje të thotë kohën dhe axhendën e këtyre bisedimeve, duke thënë se i takon Prishtinës dhe Beogradit të merren vesh për cështjet që mund t’i diskutojnë, përfshirë ato në veri.
Ndarja e Kosovës dhe çështjet që kanë të bëjnë me statusin, siç thotë ai, nuk priten të jenë në tryezën e bisedimeve.
Duke folur për kohën e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë, Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar tha se votimet duhet të mbahen disa javë para regjistrimit të popullsisë që do të zhvillohet në fillim të muajit prill.
Z.Feith, dorëheqja e presidentit Sejdiu ka prishur balancën politike në vend. Si po e menaxhojnë udhëheqësit e Kosovës këtë gjendje?
Në përgjithësi mendoj se udhëheqësit janë marrë me këtë proces politik në mënyrë shumë profesionale. Unë nuk po përqendrohem në radhë të parë tek koalicioni apo te ekuilibri politik, unë më shumë po vëzhgoj dhe po ndihmoj për të siguruar respektimin e Kushtetutës dhe në këtë aspekt unë ndihem i inkurajuar. Institucionet i kanë menaxhuar mirë ngjarjet pas dorëheqjes së presidentit dhe ne do të shohim së shpejti se si kryeministri dhe ushtruesi i detyrës së presidentit do ta çojnë përpara këtë proces, duke përfshirë caktimin e datës për zgjedhjet e mundshme.
Të gjitha partitë politike janë pajtuar për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme por data nuk është caktuar ende. Kur mendoni se është koha e duhur për mbajtjen e zgjedhjeve?
Po e ritheksoj, kjo varet nga kryeministri dhe ushtruesi i detyrës së presidentit. Ata po konsultohen me udhëheqësit politik, ata gjithashtu po shikojnë për shpërbërjen e Kuvendit, për kriteret kushtetuese për mbajtjen e zgjedhjeve pas shpërbërjes së Kuvendit, 45 ditë. Pra të gjitha këto do të bëhen të ditura gjatë ditëve të ardhshme.
Ne po shohim që LDK-ja, por edhe AAK-ja duan që zgjedhjet të mbahen në pranverë, ndërsa partia e kryeministrit Thaçi duket e interesuar që ato të mbahen më herët, diku në janar. Si do të reflektojnë gjithë këto mospajtime në skenën politike dhe a mund të kemi zgjedhje pa pasur këtu udhëheqësin kryesor të opozitës, Ramush Haradinaj?
Nuk dua të shkoj në gjithë këtë gamë të pyetjeve, sepse kjo është diçka për të cilën udhëheqësit politik po punojnë në mënyrën e tyre dhe ata po e bëjnë këtë me shumë maturi. Ajo që unë dua ta them është se ne kemi gjithashtu regjistrimin e popullsisë në rajon, përfshirë Kosovën, që është paraparë të zhvillohet në fillim të muajit prill dhe ne duhet ta kemi parasysh se ky regjistrim do të mbahet. Duhet të ketë disa javë ndërmjet zgjedhjeve dhe regjistrimit të popullsisë dhe ky është limiti kohor në të cilin po punojnë udhëheqësit.
A po rrezikohet procesi zgjedhor duke nxituar në mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme? Zgjedhjet e përgjithshme nuk ishin planifikuar të mbaheshin në fillim të vitit të ardhshëm, por dikur nga fundi.
Mendoj se më e mira do të ishte që zgjedhjet të mbaheshin me kohë të mjaftueshme për përgatitjen e tyre. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po punon me shpejtësi dhe është i gatshëm të përmbushë përgjegjësitë e tij. Më duhet të them se edhe Bashkimi Evropian po shikon mundësinë për të vëzhguar zgjedhjet nëse OSBE-ja apo Këshilli i Evropës nuk do të jenë në gjendje ta bëjnë këtë. Mendoj se nëse kjo ndodh, do t’i jep legjitimitet shtesë dhe besueshmëri më të madhe procesit zgjedhor si dhe do ta fuqizonte më shumë çfarëdo qeverie të re që do të formohej në bazë të rezultatit të zgjedhjeve.
Komisioni Evropian i ka kërkuar institucioneve të Kosovës që të bëjnë ndryshime në ligjin zgjedhor për shkak të parregullsive që kemi parë në zgjedhjet e vitit të kaluar. A mendoni se nuk ka kohë për të bërë tani ndryshime përmbajtësore në ligj?
Këtë e kemi parasysh, por pavarësisht kësaj ne duhet të sigurohemi që të mos ketë boshllëk në institucione, kështu që është e pritshme që zgjedhjet do të mbahen në kohën për të cilën do të dëgjojmë nga udhëheqësit politik. Ne do të shohim nëse përmirësimet mund të bëhen në ligjin zgjedhor në mënyrë që të mund të merremi me disa nga dobësitë që i kemi parë në zgjedhjet lokale.
Z.Feith, dorëheqja e presidentit Sejdiu erdhi në kohën kur pritej të fillonte dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Tani edhe pozita, edhe opozita në Kosovë po thonë se nuk ka kushte për të filluar dialogun pa mbajtjen e zgjedhjeve. A po e humb Kosova momentumin për të nisur këtë dialog?
Mendoj se ne duhet ta kemi parasysh realitetin në terren dhe nëse qeveria po shikon për shpërbërjen e Kuvendit, kjo mund të ketë ndikim në kohën dhe ritmin e dialogut. Por unë mendoj se për Bashkimin Evropian është shumë e rëndësishme që pala kosovare të mos deklarojë time-out, me fjalë të tjera që edhe në kohën kur shkohet drejt zgjedhjeve të ketë një pikë kontakti, në mënyrë që ne të mund të ndërmarrin disa hapa paraprakë, që ndoshta mund t’i diskutojmë disa çështje më shumë praktike në marrëdhëniet me Serbinë që do të mund të ndihmonte të dyja palët dhe do të mund të zgjidhej lehtë.
Kur mund të kemi takime të tilla ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për çështje teknike?
Kjo varet shumë nga Brukseli. Brukseli po konsultohet ende me një numër aktorësh dhe për më shumë ju duhet t’i drejtoni pyetjet e juaja te Brukseli.
A po thoni ju që po bëhen përgatitje në terren për të filluar dialogun teknik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit duke shmangur atë politik të nivelit të lartë mes palëve?
Ajo që po them unë është se dialogu gradualisht po përgatitet dhe duhet të fillojë në periudhën e ardhshme dhe siç e thashë do të ishte mirë që të niste me cështje që mund të zgjidhen lehtë ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Unë nuk dua të flas në mënyrë specifike për kohën, nivelin e bisedimeve dhe vendin, kjo është diçka për të cilën do të ju informojë Brukseli.
Kush do ta përcaktojë agjendën e bisedimeve? Ju jeni i dërguar i BE-së në Kosovë. A do ta përcaktojë Bashkimi Evropian agjendën e këtyre bisedimeve?
Po e përsëris, krejt kjo është në duar të Brukselit.
Cilat janë temat për të cilat të dyja palët duhet të diskutojnë? A është veriu një nga to?
Dialogu do të jetë kryesisht në duar të të dyja palëve, kështu që varet nga Prishtina dhe Beogradi të informojnë Brukselin se cka ata mendojnë se do të ishte e dobishme për t’u diskutuar. Me fjalë të tjera janë palët që duhet të jenë në qendër të gjithë procesit dhe Brukseli në këtë fazë po konsultohet në përpjekje për të parë se si do të organizohet krejt kjo.
Duke pasur parasysh gjendjen në veri, si përfaqësues i BE-së si e shihni zgjidhjen e kësaj çështje, cilat janë rekomandimet e juaja në fazën në të cilën ndodhemi tani?
Sa i përket veriut, si Përfaqësues Civil Ndërkombëtar e kam bërë shumë të qartë se vijat e kuqe të identifikuara nga Prishtina duhet të respektohen, se nuk duhet të ketë ndarje dhe nuk duhet pasur përpjekje që të hapen çështjet e statusit. Për këto çështje është vendosur dhe ne duhet të ecim tutje, që nuk do të thotë se çështjet që kanë të bëjnë me veriun nuk mund të diskutohen, por kjo është diçka për të cilën duhet të pajtohen të dyja palët.
Po si përfaqësues i BE-së cili është qëndrimi juaj?
Ju duhet ta pyesni Brukselin për këtë. E përsëris, varet shumë nga palët, nëse ato pajtohen që të diskutojnë dicka që ka të bëjë me veriun, le t’i lëmë ato të ecin përpara. Mendoj se për këtë çështje është lehtësimi, u takon palëve të thonë po ose jo, ne duam të diskutojmë këtë apo atë dhe Brukseli do ta bëjë të mundur që kjo të ndodhë.
Z.Feith, si Përfaqësues Civil Ndërkombëtar a ju vjen keq që plani i Ahtisarit nuk po zbatohet në veri të Mitrovicës?
Jo aspak, unë mendoj se ne jemi në rrugë të mirë për të lëvizur përpara me zbatimin e planit të Ahtisarit. Deri tani mendoj se kemi arritur përparim domethënës në jug të lumit Ibër…
Por jo në veri?
Në veri është më e vështirë dhe do të marrë më shumë kohë, por ne po përgatitemi për hapat e decentralizimit, duke përfshirë veriun.
Dhe ju jeni të bindur se plani Ahtisari mund të zbatohet në veri megjithëse kemi rezistencë nga ana e serbëve?
Ne mbështesim përpjekjet e qeverisë për të shtrirë decentralizimin në veri. Ne së bashku me qeverinë mendojmë se dispozitat e planin gjithëpërfshirës janë shumë të dobishme për komunitetin serb të Kosovës. Siç e kam thënë më parë kjo është çështje që varet shumë nga pranimi që do t’i bëjë popullata lokale, prandaj ne duhet të depërtojmë tek qytetarët. Në këtë kuadër dua të them se e mirëpres fondin e qeverisë për veriun, 5 milionë euro që do të shpenzohen për investime në komunat veriore, por ka edhe hapa tjerë për të diskutuar me përfaqësuesit e veriut se si mund të shkojmë përpara me zbatim.
Z.Feith, a ka zyra juaj një plan B për veriun, marrë parasysh se serbët po e kundërshtojnë planin e Ahtisarit? Pra nëse ky plan dështon, a keni ju diçka tjetër për t’i ofruar popullatës në veri?
Jo, në parim jo. I takon qeverisë që të vendosë çka është e pranueshme në veri, por unë mendoj se nuk kemi dallim me qeverinë në atë se plani Ahtisari është baza më e mirë për të arritur një marrëveshje me Beogradin për veriun.
Së voni kemi parë shtimin e masave të sigurisë në veri nga KFOR-it, EULEX-i dhe policia e Kosovës si dhe arrestimin e disa serbëve. A nuk mendoni se këto veprime mund të provokojnë tensione në veri?
Këto janë hapa që kanë për qëllim fuqizimin e rendit dhe ligjit. Mendoj se EULEX-i dhe policia e Kosovës janë të kujdesshme në qasjen e tyre ndaj qytetarëve. Mendoj se shumë njerëz në veri do të mirëprisnin sigurinë më të madhe në rrugët e veriut, shumë do të mirëprisnin arrestimin e kriminelëve sic kemi parë në ditët e kaluara. Në vend se të krijojë tensione, mendoj se kjo do të çojë në normalizimin dhe fuqizimin e rendit dhe ligjit, për cka ne të gjithë pajtohemi se është e dëshirueshme.
Ku jeni me zbatimin e strategjisë për veriun? Ka pasur disa deklarata nga koordinatori i qeverisë, Ylber Hysa që e ka akuzuar UNMIK-un se po e pengon zbatimin e kësaj strategjie. E keni të njejtën përshtypje edhe ju?
Mendoj se tani mund të shihni elemente të strategjisë që po lëvizin gradualisht përpara. Me EULEX-in dhe KFOR-in është shtuar prania e policisë ndërkombëtare, ne po përpiqemi që të kemi gjendjen më të mirë të mundshme në pikat doganore, kemi fondin e qeverisë që e përmenda, hapjen e zyrës për shërbime civile që është një përpjekje për të depërtuar te qytetarët dhe për t’iu ofruar shërbime më të mira. Mendoj se ka pasur suksese në këtë drejtim, rreth 600 njerëz kanë shkuar në këtë qendër për shërbime të ndryshme të regjistrimit civil, duke përfshirë marrjen e targave për regjistrimin e automjeteve. Unë mendoj se këto hapa po ndërmerren në mënyrë shumë graduale dhe me shumë kujdes, por ato kanë për qëllim objektivin tonë të përbashkët, që ne duhet të ndërtojmë një komunitet shumë-etnik në veri në kushtet e stabilitetit dhe sigurisë.
BBC