Poreq, Kroaci, 11 tetor, NOA – Një rreshter i policisë së Prishtinës ka zënë vendin e dytë në Kampionatin Evropian të mundjes Judo, i mbajtur në Poreq të Kroacisë në 7-10 tetor.
Ai është rreshteri i policisë së Kosovës, Anton Cena, i cili është njëherësh edhe anëtar i klubit të Judo-s në policinë e Prishtinës.
Meqenëse Kosova ende nuk është pranuar në Federatën Evropiane të Judo-s, Cena mori pjesë si përfaqësues i Shqipërisë dhe ishte i vetmi garues nga Republika e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë.
Ndeshja e parë në këtë garë ishte e lirë, kurse në të dytën Cena priti fituesin zviceran Sui Zingo Andre, të cilin e mundi me Ippon, pra 10 me zero.
Kundërshtari i radhës ishte holandezi Martens Harry, i cili u mund nga Cena rishtas me Ippon duke mundësuar kështu hyrjen në finalen e kampionatit.
Sipas organizatorëve finalja ishte një garë e fortë me rusin Egerov Nikolai.
Rreshteri i policisë Anton Cena mori medaljen e argjendtë në këtë garë.
Cena e vlerësoi pjesëmarrjen në këtë ngjarje sportive si një nga momentet më të larta të karrierës së tij, duke falënderuar edhe Policinë e Kosovës që i mundësoi pjesëmarrjen në këtë Kampionat Evropian të Judo-s.
Policia e Kosovës në kuadër të saj numëron edhe sportistë të fushave të ndryshme që kanë arritur suksese të ndryshme brenda dhe jashtë vendit.
Muajin e kaluar, pas një qëndrimi 10 ditor në Vaun e Dejës, rreshterët e policisë Anton Cena dhe Mensur Ganiu kanë dhënë provimin për Mjeshtër të Ju-Jitsu.
Në këtë provim ata kanë demonstruar lirimet nga të gjitha kapjet dhe sulmet nga armët e zjarrit dhe armët e ftohta si thika, shpata, e të tjera.
Me të përfunduar provimi rreshterëve u janë ndarë diplomat si Mjeshtër i Ju-Jitsu.
mit/NOA