English

PS: Ministrja Bregu gënjen kur mbrohet, se pasurinë e ka të ndarë nga burri

Tiranë, 11 tetor, NOA – Selia rozë ka ripërsëritur sot akuzat ndaj ministres së Integrimit, Majlinda Bregu, duke thënë se Ministrja Bregu gënjen kur mbrohet për akuzat.

Deputetja e PS-së, Ermonela Felaj deklaroi se Majlinda Bregu gënjen kur thotë se të tre apartamentet, që nuk rezultojnë të deklaruara në deklaratën e saj të pasurisë janë deklaruar nga bashkëshorti, meqënëse sipas Bregut ajo e ka pasurinë të ndarë nga ajo e burrit të vet, Namik Ajazi.

“Por zonja Ministre e Integrimit harroi të na tregonte dhe të na provonte me dokumente përse pasuria është e ndarë, kur është ndarë, ku dhe kur është regjistruar si e ndarë? Sepse pasuria e pjesëtarëve të familjes ndahet në bazë dhe për shkak të ligjit dhe më pas regjistrohet si e tillë në organet e administratës shtetërore ose gjyqësore. Në deklarimet e pasurisë së Ministres së integrimit dhe bashkëshortit të saj, nuk gjen asnjë shpjegim pse pasuritë e tyre janë ndarë dhe cilat pasuri konkretisht”, theksoi deputetja Felaj.

Ajo bëri me dije se Ministrja e Integrimit në deklarimin e saj të pasurisë të datës 19.03.2009 deklaron se është pakësuar me 120 000 euro depozita në emër të bashkëshortit të saj, në Intesa San Paolo.

“Sipas deklaratës së pasurisë së bashkëshortit të Ministres së Integrimit për vitin 2009, rezulton se me këto para është paguar kësti i parë i shumës prej 200 000 eurosh, për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 200 m2 + 180m2 verandë, pra gjithsej një sipërfaqe prej 380m2. Duke lënë mënjanë për një moment vlerën reale të tregut të këtij apartamenti, sot zonja ministre po ju pyesim përse ju zonjë deklaroni se ç’ndodh me depozitën në emër të bashkëshortit, por nuk deklaroni apartamentet e blera me paratë e kësaj depozite”, tha Felaj.

Deputetja socialiste i kërkoi ministres Bregu arsyen se pse kjo e fundit nuk ka deklaruar veprimin që u krye me këto para ashtu sikurse qartësisht e detyron ligji për deklarimin e pasurisë dhe udhëzimi i shkruar në krye të çdo faqeje të deklaratës së interesave private. Deputetja Ermonela Felaj i ka kërkuar sakaq ministres së Integrimit të tregojë me emra dhe numër ministrat në Evropë, që sipas Felaj bëjnë manovra të tilla me deklarimet e pasurisë së tyre, madje edhe kur pasuritë e tyre sipas Felaj janë objekt hetimi nga Prokuroria e Krimeve të Rënda si pasuri të personave të lidhur me persona të dyshuar për pastrim parash.

Në këtë suazë deputetja socialiste i ka bërë thirrje ministres Majlinda Bregu t’u sqarojë shqiptarëve të gjitha këto paqartësi mbi deklaratat e saj të pasurisë, të cilat sipas selisë rozë, duhet ta bënin ndërkohë ministren të mendohej thellë dhe të dorëhiqej, pasi akuzohet me dokumenta për pastrim të parave të mafias.

mit/NOA
KOMENTE