Tiranë, 11 Tetor 2010 NOA – Kompania amerikane SAC e cila ishte aktivizuar në Gërdec për të kryer demontim armësh, në vendim mëmë as që kishte licencë e për më tepër ishte nën sekuestro nga shteti.
Ky fakt u bë sot i ditur tek procesi ndaj 29 të pandehurve të akuzuar për tragjedinë e Gërdecit i cili ka vijuar me provat e akuzës.
Prokurori Altin Dumani shpjegoi se Firma SAC ka qenë vetëm një fasadë, si dhe është zgjedhur për të favorizuar Albademil, ku pas kësaj firme ishte Mihal Delijorgji.
Sipas prokurorit kjo firmë ka qenë e paramenduar. Prokurori Genci Qano shpjegoi se “Kompania “Southern Ammunition Company Inc” (SAC) është kompani jo e licencuar për demontimin e armëve. Kompania amerikane është e konfiskuar në SHBA”. Deklarimi i prokurorëve ka sjellë reagimin e mbrojtjes.
Avokati Vladimir Meçe i cili mbron Gjeneral Shpëtim Spahiun, ish komandant i Forcave të Bashkuara, edhe ky i pandehur, deklaroi se prokuroria po bën gjykime me dy standarde.
Sipas avokatit Meçe, Patrik Henri duhet të ishte në gjykatë dhe jo të trajtohej si mbret. Po ashtu avokati theksoi se nuk mund të ketë prova për SAC pasi kjo firmë nuk është nën hetim.
Ndërkohë që avokati Maksim Haxhia që mbron interesat e të pandehurit Mihal Delijorgji u shpreh se prokuroria po mban një qëndrim diferencial, pasi këto prova nuk mund të administrohen në dosje të organit të akuzës.
Sipas avokatit Haxhia, prokuroria po paraqet prova për kompaninë amerikane SAC, dhe Patrik Henrin, në një kohë që nuk i ka të pandehur.
Debati ka vijuar më tej, kur akuza ka lexuar një material 20 faqe në të cilën argumentoheshin akuzat në ngarkim të dy-ish drejtuesve të uzinës së Gramshit dhe Poliçanit.
Prokurori Genci Qano shpjegoi se këto dy uzina kanë qenë në gjendje shumë të mirë për të kryer demontimin e të gjitha kalibrave të municioneve, por dy të pandehurit, Fiqeret Mato dhe Lavdi Shatro, në bashkëpunim edhe me të pandehurin Ylli Pinari kanë paraqitur informacion të rremë, në mënyrë të tillë që Gërdeci të favorizohej si vend për demontimin.
Të pandehurit e këtij procesi akuzohen për ngjarjen e ndodhur më 15 mars të vitit 2008 në fabrikën e Gërdecit, ku si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm humbën jetën 26 persona dhe u plagosën më shumë se 300 të tjerë.
e.r/NOA