English

Topalli: Drejtësia ka nevojë që të shkundet, treni i saj duhet të vijë në kohë

Tiranë, 11 tetor, NOA – Ndërsa kreu i shtetit ka uruar vitin e ri akademik nga mjediset e universitetit bujqësor të Kamzës, kryetarja e parlamentit Jozefina Topalli, e ka bërë një gjë të tillë nga mjediset e Fakultetit të Drejtësisë.

Duke i përshëndetur të gjithë studentët për nisjen e vitit të ri akademik 2010-2011, ajo ka folur në mënyrë të veçantë për sistemin e drejtësisë në vend, duke thënë se ai është ndër më kryesorët dhe që ka nevojë për një ndryshim dhe reformim sa më të thellë.

“Drejtësia ka nevojë që të shkundet dhe treni i saj duhet të vijë në kohë”, mësohet të jetë shprehur Topalli lidhur me një fakt të tillë.

Duke theksuar se studentët janë e ardhmja e sistemit të drejtësisë shqiptare, ajo u la porosi atyre që të besojnë tek e drejta dhe të përpiqen ta vendosin atë siç duhet kur t’u vijë dita të ushtrojnë profesionin e tyre.

“Askush nuk mund të dalë mbi ligjet”, tha në fund të fjalës së saj kryeparlamentarja Jozefina Topalli.

n.e/NOA

KOMENTE