English

Wolfarth-Topalli: Kuvendi rol thelbësor në zgjedhjet vendore të 8 majit

Tiranë, 11 tetor, NOA – Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli është takuar sot me Kryetarin e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadorin Eugen Wollfarth, i cili përmbylli sot takimet e para prezantuese me zyrtarët më të lartë të vendit.

Ambasadori Wollfarth e uroi kryeparlamentaren Topalli për votimin e Parlamentit Evropian për liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë.

Ai theksoi se priste me kënaqësi të vazhdonte bashkëpunimin konstruktiv me Kuvendin, për të ndihmuar kështu vendin në realizimin e suksesshëm të axhendës së reformave, si dhe në përmbushjen e parimeve dhe standardeve të OSBE-së.

Kryetarja e Kuvendit, duke vlerësuar rolin e OSBE-së, gjatë këtyre viteve në konsolidimin e demokracisë dhe institucioneve të së drejtës në Shqipëri, shprehu kënaqësinë për votimin e merituar historik të heqjes së vizave, nga Parlamenti evropian. Kryetarja e Kuvendit tha se "ky votim është ratifkimi i progresit të jashtëzakonshëm që shqiptarët kanë bërë gjatë këtyre viteve dhe reformave të pandalshme të qeverisë, Parlamentit dhe institucioneve në çdo fushë".

Wollfarth tha se prezenca e OSBE-së, së bashku me katër zyrat e saj të projekteve, do të vazhdojë të përqendrohet në zbatimin e projekteve të mëdha, të orientuara nga rezultatet, duke marrë parasysh përparësitë strategjike të vendit.

Duke folur për zgjedhjet vendore të vitit 2011, Wollfarth tha se ato duhet të zhvillohen në përputhje me rekomandimet më të fundit të OSBE/ODIHR-it, si dhe theksoi se, në këtë aspekt, është e rëndësishme që përgatitjet të fillojnë shpejt.

Wollfarth nënvizoi rolin thelbësor të Kuvendit në këtë proces.

“Prezenca mbetet e gatshme për të dhënë ekspertizën teknike të nevojshme në rrethana të tilla. Gjithashtu, Kuvendi duhet të jetë forumi ku të gjithë deputetët të jenë në gjendje të marrin pjesë plotësisht dhe të kontribuojnë në të gjitha çështjet legjislative dhe politikë-bërëse”, tha ambasadori i prezencës së OSBE-së.

Zonja Topalli rikonfirmoi vullnetin e plotë të mazhorancës për reformën e re të sistemit zgjedhor, sipas rekomandimeve të Raportit të fundit të OSBE/ODIHR-it, si dhe shtrirjen e dorës së bashkëpunimit me opozitën.

mit/NOA
KOMENTE