Tiranë, 11 tetor 2010 NOA - Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme të Republikës publikoi sot vendimin për Afishimin Publik të Regjistrimit Fillestar të Pasurive të Paluajtshme për Zonën Kadastrale Nr. 8270, Tiranë.
Ky hap vjen pasi Qeveria Shqiptare ka iniciuar Projektin e Administrimit dhe Menaxhimit të Tokës (LAMP-A2.2/TS/FR/ICB-01).
Si pjesë e këtij projekti, në Shqipëri po ndërtohet Sistemi i Ri i Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme bazuar në Ligjin Nr. 7843, i datës 13. 07. 1994 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme” (i ndryshuar). Baza e këtij sistemi krijohet nëpërmjet procedurës së Regjistrimit Fillestar të Pasurive të Paluajtshme nën drejtimin e Kryeregjistruesit të Shqipërisë.
Në vijim të ndërtimit të Sistemit të Ri të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZQRPP) njofton se ka filluar Afishimi Publik i Regjistrimit Fillestar të Pasurive të Paluajtshme për Zonën Kadastrale nr. 8270 të qytetit të Tiranës. Ky afishim bëhet në territorin e Zonës Kadastrale Nr. 8270, saktësisht pranë Njësisë Bashkiake Nr. 5. Periudha e Afishimit Publik do të vazhdojë 45 ditë kalendarike.
Të gjitha subjektet private dhe shtetërore që kanë të drejta pronësie, ose të drejta të tjera reale mbi pasuritë e paluajtshme në Zonën Kadastrale Nr. 8270, janë të ftuar të verifikojnë Regjistrimin Fillestar të pasurive të tyre.
Në këtë fazë të këtij procesi, është e rëndësishme bashkëpunimi i ngushtë i të gjithë personave, që kanë të drejtë mbi pasurinë, me ekspertët, duke verifikuar të dhënat në listat e afishuara.
Në rast se gjatë kësaj faze konstatohen mangësi në informacionin e afishuar, atëherë çdo njëri që ka të drejtë mbi pasurinë, duhet të bëjë plotësimet e nevojshme dhe t’i paraqesë vetë ato te Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme të Tiranës.
Të gjitha pretendimet do të shqyrtohen dhe do të paraqiten në listat e afishuara brenda periudhës së Afishimit Publik.
Procesi i Regjistrimit Fillestar është falas për të gjithë personat që kanë të drejta mbi pasuritë e paluajtshme.
Afishimi Publik i Regjistrimit Fillestar të Pasurive të Paluajtshme mund të shihet edhe në faqen zyrtare të Internetit të ZRPP-së: www.zrpp.gov.al. Lista e personave që kanë të drejta mbi pasuritë e Zonës Kadastrale Nr. 8270, të qytetit të Tiranës, bashkë edhe me hartën e kësaj zone kadastrale gjenden në këtë faqe.
Nr.
ZVRPP
Nr. i Zonës Kadastrale
Vendi i Afishimit Publik
Data e Fillimit
të Afishimit Publik
Data e Përfundimit
të Afishimit Publik
Numri telefonit të ZVRPP-së
1.
TIRANË
8270
Njësia Bashkiake Nr. 5, Tiranë
11 tetor 2010
24 nëntor 2010
(04) 2237257