English

Ambasadorja: Afrika e Jugut po e rishikon qëndrimin mbi Kosovën

Tiranë, 12 Tetor, NOA - Pas opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Afrika e Jugut është duke rishikuar qëndrimin e saj ndaj pavarësisë së Kosovës.

Një fakt të tillë, ambasadorja e Afrikës së Jugut, Thenjive Ethel Mtintso, ia ka bërë me dijeni ministrit të Jashtëm, Edmond Haxhinasto, gjatë takimit të përbashkët me rastin e paraqitjes së letrave kredenciale.

Ndër të tjera, të dy bashkëbiseduesit theksuan vullnetin për zhvilluar më tej marrëdhëniet e bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Afrikës së Jugut në fusha me interes të ndërsjellë.

Në këtë drejtim, Haxhinasto nënvizoi rëndësinë e intensifikimit të këtyre marrëdhënieve nëpërmjet shkëmbimit të vizitave të të gjitha niveleve, konsultimeve politike, nënshkrimit të marrëveshjeve dypalëshe, bashkëpunimit ekonomik, bashkëpunimit në kuadrin e organizatave ndërkombëtare etj.

Nga ana tjetër, Haxhinasto u shpreh se pala shqiptare ka miratuar hapjen e ambasadës së Shqipërisë në Pretoria.

n.e/NOA

KOMENTE