Tiranë, 12 Tetor, NOA – Ndërsa është tërësisht e angazhuar si anëtare me të drejta të plota në Aleancën e Atlantikut të Veriut, Shqipëria po punon edhe për integrimin e saj në Bashkimin Evropian, proces që ne e marrim tërësisht të bazuar në meritë dhe jo si një gjest krenarie të veçantë, por përgjegjësie të veçantë.
Kështu ka pohuar kryeministri Sali Berisha gjatë fjalës së mbajtur në hapjen e Ministerialit i ministrave të Mbrojtjes së Europës Juglindore, i njohur ndryshe dhe me emrin SEDM, i cli po zhvillon një takim 2-ditor të posaçëm në Tiranë.
Duke shtuar se jemi angazhuar në një rrugë të tërë reformash për të adoptuar standardet e botës evropiane.
“Kanë qenë pikërisht këto reforma që e kanë bërë ekonominë shqiptare të qëndrojë me një dinamizëm të admirueshëm”, tha më tej Berisha.
Duke shtuar se vendi ia doli të modernizojë gjithë sistemin e identifikimit të qytetarëve, të kontrollit të kufijve, zhvilloi një luftë efikase kundër krimit të organizuar.
“U neutralizuan mbi 206 banda agresive që përbënin rrezik për jetën e qytetarëve dhe u vunë në pranga mëse 1000 anëtarë dhe drejtues të tyre”, tha më tej Berisha.
Duke sqaruar të pranishmit në konferencë se qeveria zhvilloi edhe një luftë efikase kundër korrupsionit, këtij kanceri të shoqërisë i cili sjell gjithë të këqijat në një shoqëri demokratike.
Procesi i SEDM-it, përfaqëson një angazhim politiko-ushtarak të vendeve të Europës Juglindore për forcimin e paqes, sigurisë dhe klimës së mirëbesimit.
Gjatë kryesimit të këtij procesi nga vendi ynë në vitet 2005-2007, u afruan me statusin e vëzhguesit Bosnje-Hercegovina, Mali i Zi, Gjeorgjia dhe Serbia.
Sot janë plote 14 vende anëtare në SEDM: Shqipëria, SHBA, Bullgaria, Greqia, Italia, Maqedonia, Rumania, Turqia, Kroacia, Sllovenia, Ukraina, Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi dhe Serbia, ku dy vendet e fundit anëtarësohen me të drejta të plota në këtë takim të radhës që zhvillohet në Tiranë, më 11-12 tetor 2010.
Ndërkohë, Gjeorgjia dhe Moldavia vijnë në Tiranë me statusin e vëzhguesit.
n.e/NOA