Sarandë, 12 tetor, NOA – Përgjatë vizitës në qytetin e 40 shenjtorëve në Sarandë, kryeministri Sali Berisha ka inauguruar rrugën e re të fshatit Sorome, që lidh komunat Aliko e Xarrë në Sarandë me rrugën kombëtare.
Kjo rrugë është rikonstruktuar me një financim të Fondit shqiptar të Zhvillimit, me vlerë 291 milion lekë.
Rruga e re e Soromesë është e gjatë 18.5 kilometra dhe me infrastrukturën e re pritet të lehtësojë ndjeshëm lëvizjen dhe arritjen më shpejt të tregut për rreth 11 mijë banorë dhe fermerë të saj.
“Ju përshëndes sot shumë përzemërsisht dhe shpreh kënaqësinë që inauguruam sëbashku një rrugë shumë të bukur, një rrugë të re prej rreth 18 kilometra, e premtuar dy vite më parë dhe sot e shndërruam në një realitet për ju. Sikundër duhet të garantoj banorët e kësaj zone, kryetarët e komunave se qeveria ime do të bëjë çdo investim në mënyrë që ju të gëzoni infrastrukturën më moderne që ju e meritoni plotësisht, të keni rrugë të reja, ujësjellës, kanalizime, shkolla dhe në këtë mënyrë të bëjmë që jeta e qytetarëve shqiptarë, kudo që ndodhen, të jetë sa më e qytetëruar, më e afërt dhe ngjashme me qytetarët europianë”, theksoi shefi i ekzekutivit.
Gjatë bashkëbisedimit me fermerë të komunës Aliko dhe të komunës Xarrë, kryeministri Berisha i garantoi fermerët e jugut se qeveria do t’i mbështesë në projektet e tyre për kulturat bujqësore dhe drurët frutorë.
“Kjo zonë, u shpreh Kryeministri, “është e njohur jo vetëm për peizazhet mahnitëse të saj, por edhe si një nga zonat më prodhuese të vendit”.
Kryeministri u bëri të njohur fermerëve se së shpejti nis edhe projekti i dytë i madh për kultivimin e drurëve frutorë që, krahas projektit të ullirit, do të krijojë mundësi të reja të mëdha për fermerët, nëpërmjet shfrytëzimit të këtyre potencialeve.
Duke i ftuar të përfitojnë nga ky projekt, Kryeministri i garantoi fermerët se qeveria do të subvencionojë çdo rrënjë ulli apo agrume që ata do të mbjellin.
“Vetëm në komunën e Xarrës janë prodhuar këtë vit 25 mijë ton shalqi, do të prodhohen rreth 350 mijë ton mandarina e klementina dhe lloje të ndryshme të agrumeve. Potencialet janë të mëdha dhe qeveria është e vendosur të subvencionojë çdo rrënjë ulli apo agrume. Në të vërtetë fermerët e këtyre zonave kanë treguar dhe tregojnë një vullnet të madh në punë dhe po e bën këtë territor gjithnjë e më të begatë”, pohoi kreu i qeverisë.
Në takimin me fermerët e zonës kryeministri Berisha foli edhe për heqjen e vizave.
Në këtë kontekst kryeministri duke kujtuar zvarritjen çnjerëzore në rrugët e Sarandës të tre të rinjve minoritarë, të vrarë në kufi, njëri prej të cilëve Vangjel Mitro, që pas rënies së regjimit menduan të iknin përdrejt lirisë në Greqi, kryeministri theksoi se “kjo është një ëndërr e jashtëzakonshme për një komb, që vetëm 20 vjet më parë pa në rrugët e qyteteve të tij, edhe këtu në Sarandë, të zvarriteshin trupa të pajetë të rinjsh, vetëm e vetëm se po largoheshin në kërkim të lirisë, ndërsa së shpejti dot lëvizin të lirë në mbarë Europën”.
mit/NOA