English

E vërteta per Enver Hoxhën, për herë të parë një panel diskutimesh

Tiranë, 13 tetor, NOA/ Milena Selimi - Një panel diskutimi për një nga temat më të prekshme në historinë e periudhës komuniste, “Historia mes nderit dhe ndershmërisë. A duhet të jetë pjesë e muzeumeve periudha komuniste e Shqipërisë?

Mbi këtë temë do të diskutohet sonte në orën 19.00, në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë.

Aktiviteti do të organizohet në kuadër të Muajit Tetor Gjerman, që po mbahet në të gjithë Shqipërinë.

Njëzet vjet pas fundit të komunizmit në Shqipëri kjo periudhë historike nuk është zbardhur ende.

E pazgjidhur është ndër të tjera çështja, se si kjo periudhë duhet të paraqitet në muzetë e vendit.

Atje nuk ekziston asnjë informacion në lidhje me të.

Pas këtij problemi fshihen pikëpamje krejtësisht të ndryshme mbi funksionin e muzeve. Në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë periudha komuniste është zhdukur nga ekspozita e përhershme.

Muzeu "Enver Hoxha" në Gjirokastër u kthye në një muze etnografik; mbi Enver Hoxhën nuk gjendet më asnjë gjurmë në qytet.

Por, aktualisht në Gjirokastër po projektohet ngritja e një muzeu të ri historik.

Në Gjermani historia e Republikës Demokratike Gjermane paraqitet si pjesë e një historie të përbashkët gjermane në Muzeun Historik Gjerman (DHM).

Për këtë qëllim ka patur një debat të gjerë shoqëror, përfundimet e të cilit kanë gjetur mbështetje të gjerë dhe zbatim në ekspozitën e përhershme të muzeut, çka ka kontribuar edhe në paqen sociale në vend.

Në një panel diskutimi publik në Tiranë dhe një konferencë të ndjekur nga një diskutim me publikun në Gjirokastër, përfaqësues të Muzeut Historik Gjerman (DHM) do të diskutojnë rreth mënyrës se si u arrit ky rezultat në Gjermani.

Gjithashtu do të diskutohet me ekspertët shqiptarë mbi rrugën, që duhet të ndjekë Shqipëria për të arritur një paraqitje të arsyeshme dhe gjerësisht të pranueshme të periudhës komuniste në muzetë e saj.

Në këtë panel diskutimi do të referojnë: Sadi Petrela, drejtor në Organizatën për Ruajtjen dhe Zhvillimin në Gjirokastër, Carola Müller-Holtkemper, Ambasadore e Republikës federale Gjermane në Tiranë dhe Dr. Luan Malltezi, drejtor i Muzeut Historik Kombëtar-Tiranë.

Ky diskutim do të mbahet edhe në një konferencë ekspertësh në Gjirokastër, më 14 tetor.

m.s/mit/NOA
KOMENTE