English

Imuniteti i Beqjas, PD: Ditët për t’u mbrojtur janë për mëshirë, koha për dorëheqje

Tiranë, 12 tetor, NOA – Në vijim të kërkesës për heqjen e imunitetit të deputetit socialist, Ilir Beqja, deputeti demokrat Flamur Noka deklaroi sot “Ti dhe ustai yt në PS, duhet ta keni të qartë se provat dhe faktet janë të rënda dhe se Kushtetuta dhe ligjet e vendit nuk lënë asnjë ekuivok, por e ndërpresin mandatin”.

Noka theksoi ndërkohë se “dorëheqja do të ishte minimumi që mund të bënte një deputet i përgjegjshëm, që do të kishte një grimë respekti për veten dhe për zgjedhësit e vet”.

Deputeti Noka iu referuar mbledhjes së djeshme të këshillit të rregullores dhe mandateve, i cili diskutoi me dyer të mbyllura heqjen e mandatit të deputetit Beqja, porse mësohet se Beqja në këtë mbledhje kishte kërkuar kohë për tu mbrojtur.

“Si një nga nënshkruesit e kërkesës së drejtuar Gjykatës Kushtetuese, të kujtoj zoti Beqja, se je tërësisht i pashpresë në përpjekje për tu kacavjerrur në politikë”, sqaroi deputeti i PD-së.

Sipas tij, ditët e lëna në dispozicion të mbrojtjes nga Këshilli i Rregullores janë për mëshirë dhe nuk do t’i shërbejnë aspak deputetit Beqja.

Ndërsa mbledhja e ardhshme e Këshillit të Rregullorës do të mbahet të premten në orën 10 pranë kryesisë së Kuvendit, deputeti flamur Noka i ka bërë thirrje Beqjas se “Është koha për të dhënë dorëheqjen, pasi çdo minutë, që kalon, punon kundër teje dhe kundër ustait tënd, mister 20%-it”.

mit/NOA
KOMENTE