Tiranë, 12 tetor, NOA - Zyra e shërbimit të seancave plenare në Kuvendin e Shqipërisë reagon për deklaratat e djeshme të deputetëve të Partisë Socialiste mbi parregullsinë e procedurave të votimit në seancën plenare të datës 16 shtator, ku u miratua projektligji me disa ndryshime për Kthimin dhe Kompesimin e Pronës, një ligj i kthyer për rishikim nga Presidenti i Republikës, pasi shkelte parimet e kushtetutshmërisë së të drejtës së pronës.
Përkundër deklaratave të opozitës, të cilët deklaruan se kuvendi shkeli rregulloren duke votuar dy herë projektligjin, shërbimi i seancave plenare sqaron se e gjithë procedura për votimet e kryera në këtë seancë, është e dokumentuar, e hapur dhe publike.
Procedura e votimit sipas Kuvendit është zhvilluar konform Rregullores, në mënyrë specifike neneve 56, 57, 58 dhe 61 të saj. Në këtë kontekst, siç rezulton nga regjistrimet audio dhe video të procedurës së votimit, votimi është bërë i pandërprerë për të gjitha projektaktet e përcaktuara në rendin e ditës.
Gjatë procedurës së votimit të dekretit nr. 6664 datë 13.8. 2010 “Për kthimin për rishqyrtim të ligjit nr. 10308, datë 22.7.2010, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9235, datë 29.7.2004 “Për kthimin dhe kompensimin e pronës” të ndryshuar”, me kërkesë, është pezulluar votimi dhe është ribërë ai si pikë e fundit e rendit të ditës.
Sipas shërbimit të seancave plenare, dekreti i Presidentit është rrëzuar me shumicën e nevojshme të kërkuar nga neni 85, paragrafi 2 i Kushtetutës.
Sa i përket rregullsisë së kësaj procedure, shërbimi i seancave plenare shprehet i gatshëm të përballet me çdo deputet, grup deputetësh apo Grup Parlamentar, që do të kontestonte, sipas Rregullores, vlefshmërinë e saj në instancat përkatëse të Kuvendit.
mit/NOA