English

Lindja e Largët, treg i ri për kromin dhe ferrokromin shqiptar

Tiranë, 12 tetor, NOA - Lindja e Largët mund të jetë një treg i ri për mineralin e kromit dhe të ferrokromit shqiptar.

Ky fakt u theksua sot gjatë një takimi të ministrit të Ekonomisë Ilir Meta dhe përfaqësuesve të kompanisë DMC-ACR, gjatë së cilës u lançua bashkëpunimi i kësaj kompanie me kompaninë japoneze Marubeni dhe kompaninë kineze Xi’an Aoqin.

Meta përshëndeti bashkëpunimin e kompanive serioze që veprojnë në Shqipëri me kompaninë japoneze Marubeni.

Ai u shpreh se eksporti i mineraleve dhe ferrokromit është një ndër drejtimet kryesore të rritjes së eksporteve tona, dhe se kështu do të vazhdojë edhe në të ardhmen, çka do të bëjë që të ketë një rritje të produkteve Made in Albania edhe në tregjet e rëndësishme dhe cilësore aziatike.

Sipas zv/kryeministrit, kjo tregon qartë se ekonomia jonë po bëhet gjithnjë dhe më atraktive për investitorët e huaj strategjikë, me produkte cilësore dhe konkurruese, sikurse tashmë janë edhe produktet e ferrokromit të Elbasanit.

“Duke përgëzuar dhe mbështetur këtë bashkëpunim mes DCM-ACR Holding me Marubeni-n, gjigandin japonez, si një vlerë e shtuar në funksion të rritjes së biznesit të huaj në vendin tonë, dua t’i siguroj dhe njëherë për mbështetjen dhe inkurajimin tonë. Jo vetëm për DCM-ACR, por edhe të gjitha grupet e fuqishme në këtë fushë. Ne do t’i inkurajojmë jo vetëm për të nxjerrë mineralet, por në mënyrë të veçantë për t’i përpunuar dhe pasuruar ato në vendin tonë, në mënyrë që vlera e tyre të rritet akoma më shumë në tregjet ndërkombëtare”, u shpreh Meta.

n.e/NOA

KOMENTE