English

Maqedoni, sizmologët paralajmërojnë tërmete më të lehta

Shkup, 12 tetor, NOA - Ekspertët e sizmologjisë paralajmërojnë se tërmetet do të vazhdojnë edhe gjatë ditëve të tjera. Shkalla e tyre do të jetë e një intensiteti më të dobët.

Gjatë javës së kaluar një seri tërmetesh me epiqendër Gjilanin e Kosovës ishin regjistruar edhe në rajonin e Maqedonisë, gjegjësisht në Shkup dhe Kumanovë.

Sizmologët kanë bërë të ditur se lëkundja e tokës gjatë mëngjesit të së dielës rreth orës 2.34 me manjitudën prej 4,5 shkallë, ka arritur lëkundjen dhe forcën maksimale.

“Të gjitha indikacionet bëjnë të ditur se tërmeti i mëngjesit të hershëm të së dielës ishte kryesori dhe se dridhjet e ardhshme deri në qetësimin e plotë do të jenë të intensitetit më të dobët. Pritet edhe rreth njëzet tërmete, por me intensitet më të dobët”, deklaroi Mihaill Garevski, drejtor i Instituti për Inxhinieri Tërmetesh dhe Inxhinieri Sizmologjike (IZIIS).

Ai ka hedhur poshtë të gjitha spekulimet e paraqitura se në vend pritet të pasojnë tërmete më të fuqishme. “Ato janë vetëm se ndërhyrje të dëmshme që krijojnë vetëm panik tek popullata”, theksoi Garevski.

NOA/INA

KOMENTE