Tiranë, 12 tetor, NOA - “Nuk e kam thënë aspak që do të rinegociojmë marrëveshjen e ujërave me Greqinë, por thjesht kam thënë që do të shqyrtohen mundësitë, si do të procedojmë për ta përfunduar këtë marrëveshje”.
Kështu i është përgjigjur sot interesimit të gazetarëve ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, lidhur me mënyrën sesi do të procedohet për përmbylljen e marrëveshjes së ujërave me Greqinë në kufirin jugor të vendit, duke perdorur nje gjuhe ndoshta diplomatike por qe sigurisht ne kontradikte te fortë.
E pezulluar nga Gjykata Kushtetuese, kjo marrëveshje paraqet një pikë të nxehtë të raporteve mes dy vendeve, e që sipas kryediplomatit Haxhinasto, duhet të marrë patjetër një drejtim të caktuar.
“Eshtë në interes të të dy vendeve që kjo marrëveshje të realizohet duke respektuar të gjithë parimet dhe detyrimet kushtetuese”, tha konkretisht lidhur me një fakt të tillë, ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto.
Sipas tij, kjo marrëveshje është në një status të tillë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, dhe “jemi në fazën e eksplorimit të mundësive se si do të procedohet më tej”.
I ashtuquajturi pakti detar i Shqipërisë me Greqinë për ndarjen e kufijve territorialë detarë në jug, ngjalli muaj më parë reagimet negative të opozitës, të cilat iu kaluan për gjykim edhe Gjykatës Kushtetuese, e cila mori vendimin për pezullimin e saj.
n.e/NOA