Tiranë, 12 tetor, NOA – Në mjediset e selisë së Kuvendit, u promovua sot libri i politikanit në karrierë, Ylli Bufi, ceremoni ku merrnin pjesë deputetë, personalitete të jetës politike, ambasadori i OSBE EugenVollfarth dhe përfaqësues të trupit diplomatik.
Në fjalën përshëndetëse, kryetarja e Kuvendit tha se libri është një kontribut dhe ndihmë shumë e rëndësishme për jetën parlamentare dhe për punën e deputetëve në veçanti.
Duke vlerësuar rolin e ish deputetit Bufi në arritje të veçanta të reformave parlamentare gjatë këtyre viteve, Topalli u shpreh:“Kujtoj periudhën e bashkëpunimit me projektin e OSBE, kur zoti Bufi bashkë me zotin Beja ishin bashkëpunëtorë kryesorë, në atë që ne kemi sot ligjin themelor se si funksionon Kuvendi i Shqipërisë, që është Rregullorja e Kuvendit të Shqipërisë".
Sipas saj, pa dyshim, vetë titulli i autorit flet shumë. Parlamenti, tempulli i demokracisë!
“Në fakt, Parlamenti, është tempulli i demokracisë, është zemra e demokracisë, është institucioni që mbart në vetvete së pari, rolin përfaqësues, së dyti, rolin e ligjvënësit, së treti rolin e kontrollit mbi pushtetet dhe agjencitë e tjera. Është një institucion, i cili në vendin tonë ka një histori jo shumë të gjatë, për fatin tonë të keq, të historisë sonë të palumtur”, tha ajo.
Ndërsa vetë Ylli Bufi shtoi se libri “ Tempulli i demokracisë”, do t’i shërbejë një reflektimi më të plotë rreth procedurave parlamentare, debatit politik dhe veprimtarisë së deputetëve, veçanërisht atyre të rinj në jetën parlamentare. Bufi në ekspozenë e tij, theksoi se "Shqipëria në këto momente historike integrimi evropian ka nevojë për konsensus politik për një reformë të thellë parlamentare, ku në qendër të jetë Parlamenti si tempull i demokracisë".
Aktivitetin e përshëndetën edhe personalitete të ndryshme, mes të cilëve dhe ambasadori i OSBE, Eugen Vollfarth, i cili e vlerësoi librin, si një kontribut i shquar për punën e deputetëve dhe stafit të Kuvendit.
n.e/NOA