Tiranë, 12 tetor, NOA – Dita Ndërkombëtare e Reduktimit të Katastrofave, e cila përkujtohet çdo 13 tetor, këtë vit ka tërhequr vëmendjen e mbarë publikut botëror, pasi gjatë tij janë shënuar një numër katastrofash me pasoja të rënda si tërmeti në Haiti që ndodhi në janar, me një bilanc tragjik prej 200 mijë të vdekur dhe 1 milion të mbetur pa strehë; tërmeti masiv në Kili një muaj më vonë; pranvera e nxehtë dhe zjarret në Rusi, e së fundi, përmbytjet masive në Pakistan.
Përveçse të gjitha këto ngjarje shkaktuan shumë humbje njerëzore dhe vuajtje, sollën gjithashtu zvogëlimin e kapaciteteve dhe resurseve të tyre ashtu edhe frenimin e zhvillimit ekonomik në këto vende.
Edhe Kryqi i Kuq Shqiptar si pjesë e Federatës Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe (FNKKGJHK) e konsideron reduktimin e rreziqeve nga katastrofat si një ndër prioritetet e punës së tij.
Në këtë kuadër, ai po punon në dy drejtime kryesore si përgatitja e strukturave të tij vullnetarëve dhe kapaciteteve të tjera materiale nga njëra anë dhe nga ana tjetër ndërgjegjësimi i komunitetit për rreziqet dhe pasojat e tyre, por edhe ndërhyrja në kohë dhe në mënyrë efektive kur katastrofa ndodh,me qëllim që të shpëtojë jetën e njerëzve, të mbrojë të mirat materiale dhe të ndihmojë në kthimin në normalitet.
n.e/NOA