Tiranë, 12 tetor, NOA – Deputetja e Partisë Demokratike, Mesila Doda ka vijuar sot akuzat kundër kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama duke e cilësuar atë si të vetmin kryetar bashkie të akuzuar drejtpërsëdrejti për aferat e tij të korrupsionit me lejet e ndërtimit dhe përfitimin e 100 milion eurove për projektin te diga e Liqenit Artificial.
“Edi Rama është i vetmi kryetar bashkie në botë i akuzuar në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe në organet zyrtare si ideatori dhe përfituesi i 100 milion eurove të qytezës pranë liqenit të Tiranës, si gjobvënës i 20% të qytezës me 350 kate ndërtim dhe që ende hesht sepse nuk ka guxim as të mohojë veprën e tij e as bashkpunimin e tij me Tan Leprin”, deklaroi në një konferencë për shtyp deputetja Doda.
Duke vijuar transparencën e kësaj afere, zonja Doda bëri me dije se “Me një llogari të thjeshtë mund të pohojmë që Edvin Rama dhe sekserët e tij kanë marrë për veten e tyre 70 kate ndërtime tek projekti i Liqenit, ndaj sot kërkojmë nga organet zyrtare, që të reagojnë me shpejtësi jo vetëm për të zbardhur këtë megaferë, por edhe për të çuar përgjegjësit e saj para drejtësisë”.
Deputetja demokrate e ka cilësuar këtë rastt korrupsioni, si më flagrantin në këta 20 vite, ku një kryetar gjobvënës grabit biznesin dhe qytetin e tij me përqindje të zbardhura 20%-she, dhe pastaj hesht me shpresën se gjithçka do harrohet.
“Ne jemi këtu për t’i kujtuar Edi Ramës, se as skandalet e reja, që prodhon çdo ditë, as heshtja dhe as tentativa për të rrëshkitur nëpër debate të reja nuk do e shpëtojë nga zbardhja e së vërtetës”, tha deputetja Doda.
Ajo shtoi se tashmë ka ardhur koha që Edi Rama së bashku me sekserët e tij të japin llogari për të gjitha dëmet që i kanë shkaktuar kryeqytetit.
mit/NOA