Shkup, 12 tetor, NOA - Qeveria e Maqedonisë deri tani ka harxhuar mbi 22 milion euro për realizimin e projektit “Shkupi 2014”, duke realizuar pjesën më të madhe të përmendoreve dhe objekteve të tjera.
Rreth 15 përmendore, bazamente dhe pjesë tjera plotësuese janë ngritur dhe janë në proces i sipër për t`u realizuar në kuadër të projektit për vendosjen e përmendoreve në sheshin e Shkupit.
Të gjitha këto projekte kanë të bëjnë me emrat e historisë antike maqedonase dhe asaj sllavo-maqedonase.Komuna qendër e Shkupit nën patronazhin e qeverisë, po vijon aktivitetet dhe punët për të vendosur një pjesë të përmendoreve, ndërsa në llogaritë e kompanive realizuese janë derdhur miliona eurot e realizimit të plotë të projektit.
Tre përmendore të personaliteteve historike shqiptare janë paraparë që të jenë pjesë e këtij projekti, mirëpo deri tani këto projekte kanë ngelur vetëm në formë të propozimeve dhe nuk kanë kaluar pranë këshillit komunal të komunës qendër.
Deri tani shifra e mjeteve të siguruara për realizimin e projektit “Shkupi 2014” ka kaluar mbi 22 milion euro. Opozita maqedonase ka hedhur dyshime se ky projekt do të ketë një kosto prej rreth 200 milion eurove, deri në realizimin e tij, siç është paraparë nga fundi i vitit 2014.
Kostoja financiare e qeverisë për përmendoret:
Përmendorja e Aleksandrit të Madh 4,5 milion euro
Fontana në sheshin “Maqedoni” 3,1 milion euro
Skulpturat për themeluesit e organizatës revolucionare maqedonase 1 milion euro
Busti për Petre Karpa- Karposh 540 mijë euro
Busti për ASNOM 1,5 milion euro
Busti për Justinianin e Parë 1,2 milion euro
Busti për Gemixhitë maqedonas 960 mijë euro
Busti për Shën Kirilin dhe Metodin 541 mijë euro
Busti për Shën Klimentin dhe Naumin 585 mijë euro
NOA-INA