English

Prokuroria shqiptare do t’i tregojë sekretet asaj kosovare

Tiranë, 12 tetor, NOA - Kosova dhe Shqipëria duhet të shkëmbejnë në mënyrë reciproke të dhënat, provat apo faktet mbi ngjarjet përkatëse, në mënyrë që të mund të përcaktohet më lehtë përgjegjësia penale e autorëve të krimit të organizuar ndër-rajonal dhe përballja e tyre me drejtësinë.

Një fakt i tillë është theksuar gjatë takimit që u mbajt sot në mjediset e prokurorisë së Përgjithshme, mes kryeprokurores Ina Rama dhe delegacionit të Prokurorisë së Përgjithshme të Kosovës, kryesuar nga kryeprokurori Ismet Kabashi.

Në kuadër të kësaj vizite, ata nënshkruan edhe memorandumin përkatës të bashkëpunimit mes dy palëve për të zbuluar sa më lehtë veprat penale, duke shkëmbyer informacione.

Nga ana e saj, kryeprokurorja Ina Rama, dha një pasqyrë të efekteve pozitive që ka sjellë vënia në funksion të ligjit antimafia në luftën kundër krimit të organizuar, duke theksuar se ky ligj është i avancuar dhe tipik i vendeve me demokraci të avancuar.

Më tej, ajo përshkroi punën për reformimin e sistemit duke e vënë theksin edhe tek bashkëpunimi midis institucioneve.

Ndërsa Prokurori i Përgjithshëm i Kosovës, Ismet Kabashi, dha një pasqyrë të punës së institucionit të tij, i cili është ende fazën e konsolidimit dhe të kryerjes së reformave, i dhe për bashkëpunimin e frytshëm me organet përkatëse të EULEX.

Ai vlerësoi se krijimi i lidhjeve dhe i kontakteve më të afërta me Prokurorinë e Përgjithshme si dhe me ato të vendeve të tjera fqinje, është një ndihmë për efikasitetin dhe konsolidimin e institucionit që drejton, por dhe në forcimin e sistemit të drejtësisë në Kosovë.

n.e/NOA

KOMENTE