English

PS: Bregu gënjen për apartamentin dhe gabon me 10 mijë euro sikur të qenë qindarka

Tiranë, 12 tetor, NOA – Selia rozë ka vijuar sot transparencën e akuzave ndaj ministres së Integrimit, Majlinda Bregu, duke theksuar se ministrja Bregu ngaqë e ka zakon të gënjejë, bën edhe gabime trashanike me shifrat.

Duke denoncuar faktin se apartamenti i deklaruar prej gati 400 metrash katror, nuk është i ri, por banohet prej 10 vjetësh, deputetja e Partisë Socialiste, Ermonela Felaj theksoi në një konferencë për shtyp se “Në fakt sipas deklaratës së pasurisë të bashkëshortit të zonjës ministre apartamenti është blerë vetëm në fillim të vitit 2009”.

Në këtë transparencë deklaratash, Felaj citoi intervistën e djeshme të burrit të Majlinda Bregut, Namik Ajazi, i cili deklaroi se sipërfaqja e apartamentit ishte 213 metra katror + 108 metra katror verandë.

“Si ministrja ashtu dhe bashkëshorti i saj thonë se apartamenti, që ndodhet në një nga zonat më luksoze të Tiranës është blerë për 200 000 euro, ose me diçka më tepër se 500 euro metri katror, edhe pse çmimi i referencës i vendosur nga vetë qeveria e zonjës Bregu është më se dy herë më i lartë, ndërkohë që çmimi real i tregut shkon deri në 2000 euro metri katror”, sqaroi deputetja socialiste.

Felaj ironizoi fjalët e bashkëshortit të Bregut, Namik Ajazi, që deklaroi se apartamenti ishte blerë me këtë çmim qesharak për shkak të lagështirës, që vinte nga shtëpia e komshiut.

“A ka shqiptar që të besojë se një apartament me vlerë tregu mbi 600 000 euro mund të blihet për 200 000 euro meqë pikoka shtëpia e komshiut”, tha deputetja socialiste.

Sipas saj, në deklaratën e saj të pasurisë Majlinda Bregu ka edhe një tjetër gabim, që tregon shumë për marrëdhëniet që ka zonja Bregu me paratë.

“Kur ministrja deklaron se në vitin 2009 nga llogaria e bashkëshortit të saj janë nxjerrë 120 000 euro, ndërkohë që po kësaj llogarie në 2009 i janë shtuar 41 000 euro. Sipas llogarive të ministres Bregu në deklaratën e saj të pasurisë 120 000 euro – 40 000 euro na bëkan jo 80 000, por plot 90 000 euro”, bëri me dije Felaj, duke theksuar ndërkaq se “Ministrja e Integrimit gabon me nga 10 000 euro në llogaritë e saj a thua se bëhet fjalë për qindarka”.

Sipas Felaj ky gabim dhe të gjitha gënjeshtrat e ministres së Integrimit, shtojnë edhe më shumë dyshimet për burimin e vërtetë të parave të ministres Bregu.

Deputetja socialiste, Ermonela Felaj i bëri apel ministres Majlinda Bregu, të japë dorëheqjen dhe të sqarojë burimin e parave përballë institucioneve të shtetit, ILDKP dhe Prokurorisë, që duhet sa më parë të verifikojnë këto fakte.

mit/NOA
KOMENTE