English

Rrugët e metropolit, Rama flet për punën në proces, arritjet dhe problemet

Tiranë, 12 tetor 2010 NOA Update - Bashkia e Tiranës dhe Universiteti Politeknik i Tiranës, në bashkëpunim me Shoqatat që zhvillojnë veprimtarinë në fushën e trafikut, sigurisë rrugore dhe mjedisit organizuan një tryezë debati, për të diskutuar mbi çështjet e trafikut, shkaqet dhe zgjidhjet si dhe rëndësinë e respektimit të rregullave të qarkullimit dhe sigurisë rrugore për reduktimin e trafikut.

Duke marrë fjalën në këtë takim, Kreu i Bashkisë së Tiranës theksoi se çështja e një lëvizshmërie normale, e një transporti normal në këtë qytet nuk ka lidhje vetëm me ne si Bashki e Tiranës, apo vetëm me rrugët si entitet fizik në organizmin e qytetit, por ka lidhje me pjesëmarrjen dhe kontributin e të gjithëve, pasi sot nëse duam një lëvizshmëri normale dhe transport cilësor, na duhet patjetër një qytetar i vetëdijshëm për gjithçka përfshin rolin e tij, në pikëpamje të kodit rrugor dhe në pikëpamje të bashkëjetesës në qytet.

Rama tha se bazuar edhe në ekspertizën vendase dhe ndërkombëtare që ne kemi marrë, se sot problematika e lëvizshmërisë dhe transportit nuk lidhet me gjendjen e akseve rrugore. Ne kemi përfunduar pjesën dërrmuese të punës, për sistemimin dhe zgjerimin e infrastrukturës rrugore dhe sot kemi një rrjet rrugor kryesor por edhe dytësor, që mund të konsiderohet tërësisht funksional.

Nga të gjithë analizat e bëra në trafikun e Tiranës dhe nga të gjithë sugjerimet që ne kemi marrë në faza të ndryshme, por edhe të jetësuara në Masterplanin e transportit në qytet, është e qartë se problematika që ne hasim sot, ka të bëjë me edukimin dhe edukatën e lëvizjes së vetë qytetarëve, në një rrjet rrugor që sipas ekspertëve mundëson një lëvizshmëri tërësisht normale, në rast se do të kishim këtë parakusht, që qoftë mjetet, qoftë këmbësorët të respektojnë minimalisht Kodin Rrugor.

Sipas z.Rama, kjo është një vetëdije që ne e shohim fare të qartë, edhe tek ata që përditë ndeshen me këtë problematikë dhe bëjnë çmos që ta lehtësojnë, pa mundur t’ia dalin jo kryesisht për përgjegjësinë e tyre, që janë trupat e Policisë, qofshin Policia e Shtetit apo ajo Bashkiake në terren, që hasin përditë në shkeljen konstante të rregullave të qarkullimit, qoftë të mjeteve, qoftë të këmbësorëve.

Sot Tirana ka 171km rrugë ekzistuese dhe vetëm 23 prej tyre kanë ende nevojë për një ndërhyrje që i përfshin në tërë rrjetin e risistemuar të qytetit dhe këtu kam parasysh një rrjet që është i rindërtuar, zgjeruar, asfaltuar me të gjithë infrastrukturën e nevojshme nëntokësore dhe me ndriçimin publik..

Duke u ndalur në punimet, z.Rama tha se “kemi filluar punën për korsitë e rezervuara për autobusët, duke bërë paralelisht dhe një punë konstante, për të rritur cilësinë e autobusëve dhe të kushteve të qarkullimit në autobus dhe nga ana tjetër, duke pasur si pjesë të vizionit tonë domosdoshmërinë që autobusët të kenë korsitë e tyre”.

Sipas z.Rama, janë 23 rrugë kryesore që do i japin një tjetër shpejtësi transportit publik, që ne besojmë se duke e pasur këtë shpejtësi të veçantë dhe duke pasur kushtet që kanë autobusët e rinj që kemi futur, të kemi shumë më tepër qytetarë, të cilët në këtë rast edhe do të kursejnë shpenzimet që ka një mjet personal.

Kryebashkiaku evidentoi edhe se janë 1.88 km korsi e dedikuar sot, 6.5 km do të përfundojnë si fazë e parë dhe aktualisht janë 3.8 km që po punohet për tu futur në këtë sistem.

Duke pasur parasysh madhësinë e kësaj sfide dhe faktin që kjo nuk është një sfidë që fitohet me 1 apo 2 km, ka nisur të punohet edhe për korsitë e biçkletave.

“Sot kemi 1.42 km korsi të përgatitur, por synojmë që në fazën e parë që kemi parashikuar, të arrijmë në 10.73 km, të dedikuar për biçikletat, për një projekt të plotë që përfshin 17.74 km dhe që ezauron në një pjesë të rëndësishme të qytetit, mundësinë për të lëvizur me biçikletë”, - theksoi z.Rama.

Ai përmendi dhe projektin për të ndërtuar rampat në të gjithë trotuaret kryesorë të qytetit, me elementë të rinj të lëvizjes edhe për të verbërit, duke mundësuar një tjetër standard sigurie për këmbësorët dhe veçanërisht për personat me aftësi të kufizuar që meritojnë të njëjtin kujdes dhe të njëjtat kushte si edhe të tjerët.

Deri në fund të vitit 2010, bashkia synon të mbërrijë në 29 km korsi të dedikuar shërbimit në 23 rrugë të qytetit dhe dalëngadalë edhe me një standart të ri sigurie, edhe për përdoruesit e biçikletës, kjo e kombinuar edhe me sinjalizimin rrugor.

Nga 63 aparatura semaforike që vlerësohet se i ka të nevojshme ky qytet, 59 janë sot në punë. Nga një qytet që s’kishte asnjë tabelë, sot ka 3600 sinjale rrugore dhe 3300 tabela me emërtesa rrugore, thuajse në çdo rrugë të qytetit.

*

Diskutimi përgjatë takimit u fokusua edhe mbi:

- Nevojën për të zgjeruar konceptet e informatizimit dhe të kontrollit në rrugë, pra nevojën për të zgjeruar lidhjen me Qendrën e Kontrollit dhe Menaxhimit të Trafikut edhe të mjeteve të tjera, si mjetet taksi, transportin rrethqytetës dhe në perspektivë atë ndërqytetës, transportin e nxënësve, transportin e organizuar të mallrave dhe rrjetet e distribucionet, mjetet e emergjencës, etj, duke ndihmuar kështu lëvizjen dhe duke bërë që sistemi të orientojë më mirë drejtimet dhe përparësitë.

- Rolin dhe formën e re e kontrollit të lëvizjes, duke modernizuar menaxhimin e lëvizjes me sistemet e informatizuara të kontrollit të shkeljeve dhe menaxhimit të lëvizjes, sipas të rejave të teknologjisë së transportit, të cilat janë aplikuar në vende të ndryshme të botës dhe për një rol të ri të raportimit të territorit dhe të organeve të kontrollit, qofshin këto të Policisë Rrugore ose Bashkiake.

- Rolin e ri që duhet të marrin universitetet, shkollat, për edukatën e lëvizjes; rolin e ri edukues dhe informues, në drejtim të krijimit të një edukate komunitare në lëvizje dhe përdorimin e rrugës; në promovimin e shembujve pozitivë të ndërhyrjes dhe në masat për minimizimin e shembujve negativë.

- Ndërgjegjësimin e opinionit publik mbi domosdoshmërinë për të respektuar rregullat e qarkullimit, për të marrë të gjithë një masë të vogël sot me impakt të madh në rrugë, për të përmirësuar qarkullimin dhe reduktuar trafikun, e si rrjedhojë një përmirësim më të madh ndaj mjedisit dhe shëndetit publik.

Infrastuktura e lëvizjes dhe rëndësia e rregullave të qarkullimit, për përmirësimin e trafikut

Bashkia e Tiranës, ka theksuar prej disa kohësh tashmë për opinionin publik, por edhe për institucionet kompetente, faktin se po zbaton skema të reja të qarkullimit në qytetin e Tiranës, në zbatim të Masterplanit të Transportit.

Megjithëse qyteti ka sot një infrastrukturë shumë herë më të mirë sesa 10 vjet më parë, në rrugët e qytetit ndeshen sërish probleme të trafikut. Nga vlerësimet teknike të bëra nga ekspertët, rezulton se shkaku nuk është mungesa e infrastrukturës apo kapaciteti i rrugëve, por keqmenaxhimi i lëvizjes dhe mosrespektimi i rregullave të qarkullimit nga drejtuesit e mjeteve, por edhe nga përdoruesit e tjerë të rrugës, qytetarët.

Kështu, faktet tregojnë sot, se ndërhyrjet e bëra nga Bashkia e Tiranës në këto 10 vite, kanë sjellë një ndryshim radikal të skemës së rrugëve dhe kushteve te infrastrukturës së lëvizjes, si në rrugët kryesore të qytetit, por edhe më gjerë.

Ndërhyrjet kanë qenë të mëdha dhe rezultatet flasin qartë në shifrat e mëposhtme:

- Përmirësimet e infrastrukturës rrugore (rregullim, zgjerim, asfaltim)

Në qytetin e Tiranës, rrjeti kryesor rrugor ka një shtrirje prej 171 km rrugë ekzistuese. Nga këto rrugë, falë punës së bërë në këto vite nga Bashkia e Tiranës, sot janë sistemuar 148 km, ose kemi ndërhyrë në përmirësimin e kushteve, infrastrukturës së lëvizjes dhe zgjerime, rritje të kapacitetit të rrugëve në 87% të rrjetit, ndërkohë që janë në proces vetëm 23 km rrugë ekzistuese. Sistemimi përfshinte një rikonstruksion të plotë të akseve rrugore, duke përfshirë si infrastrukturën e lëvizjes; rrugën, trotuarin, ashtu dhe infrastrukturën inxhinierike, nëntokësore dhe ndriçimin publik.

- Vendosjes së semaforëve të parë me njësi inteligjente në vitin 2003.

Gjithsej janë vendosur 59 aparatura semaforike, nga 63 që vlerësohen si të nevojshme në total, për mirëfunksionimin e sistemit, duke analizuar kryqëzimet ekzistuese të qytetit.

- Vendosjen e sinjalizimit rrugor në akset kryesore rrugore

Janë vendosur deri më sot 3600 sinjale rrugore (tabela)

- Është kryer planifikimi i ndërlidhur i të gjithë sistemeve të transportit, realizuar nëpërmjet “Masterplanit të Zhvillimit të Qëndrueshëm të Transportit për qytetin e Tiranës (2020)”, me anë të së cilit, Bashkia e Tiranës ka në dorë elementët për zgjidhje të mëtejshme, në lidhje me:

-lëvizjen/trafikun

-transportin publik

-infrastrukturën e lëvizjes dhe të transportit

-nevojën/idetë për inovacion dhe teknologji të reja të transportit, drejt një zhvillimi të qëndrueshëm të tij

- Siguria rrugore

Ka filluar të zbatohet programi i investimeve të Bashkisë së Tiranës për shpërndarjen e sipërfaqes së rrugës, për çdo përdorues (makina private, transport publik, këmbësor), duke i dhënë prioritet mjeteve të shërbimit publik, lëvizjes me biçikleta dhe lëvizjes këmbësor. Bashkia e Tiranës po zbaton Fazën e Parë të projektit (23 rrugë), konkretisht në fushën e punimeve të ndërtimit dhe të sinjalistikës, për sistemimin e infrastrukturës së rrugëve dhe trotuareve.

Me gjithë këtë punë të bërë nga Bashkia e Tiranës, ka ende shumë probleme me trafikun në qytet. Janë një sërë faktorësh që përbëjnë problematikë jo shumë të lehtë për t’u zgjidhur, nga të cilat:

Edukata e qarkullimit rrugor të përdoruesve të mjeteve dhe ajo e këmbësorëve

Efikasiteti i strukturave të kontrollit në rrugë

Kompletimi i kuadrit ligjor për krijimin e strukturave të qarta qendrore dhe lokale, në fushën e kontrollit të elementëve të trafikut

Rritja e standardeve të projektimit, mbi bazën e auditit paraprak të sigurisë rrugore

Faktorët e sipërpërmendur, diku të ndërthurur ose veç paraqesin përditë një situatë të rënduar në trafik, ku vihet re mosrespektimi i elementëve si:

- Parkim i gabuar nga qytetarët, dhe vështirësia e organeve të kontrollit, për të siguruar zbatimin e rregullave: (Fenomeni i parkimit për dy e shpesh edhe për tre në: “Rruga e Kavajës”, “Dëshmorët e 4 shkurtit”, “Çamëria”, “Ded Gjon Luli”, Bulevardin “Zogu i Parë”, “Mine Peza”etj, çon në një bllokim pjesor dhe nganjëherë tërësor, me pasojë ngjeshjen serioze të trafikut për një kohe të gjatë)

- Edukata e ulët e këmbësorëve

Këta të fundit shpesh nuk respektojnë rregullat, duke kaluar rrugën ku të mundin dhe i shtohen gjithnjë e më shumë situatës së rënduar të trafikut.

- Transporti i fëmijëve, nxënësve dhe studentëve

I kthyer në një situatë shumë shqetësuese, për nga mënyra se si Institucionet private arsimore e kryejnë shërbimin e transportit të fëmijëve, nxënësve dhe studentëve, në intenerarin e tyre të përditshëm të vajtjes nga shtëpia në shkollë e kthim si dhe ndalimet në vendqëndrime të mjeteve të transportit, në vende jo të miratuara nga Bashkia e Tiranës, në parkime që zënë shpesh korsitë e lëvizjes së mjeteve në akset kryesore rrugore dhe në qendrën e qytetit, duke rënduar së tepërmi situatën e trafikut, ndërkohë që sa i përket standartit të transportit të këtyre mjeteve, nuk i kontrollon askush për nga kapaciteti e tejmbushja, jashtë çdo norme sigurie.

- Stacionet e mjeteve Bus si dhe vendqëndrimet ilegale të mjeteve mikrobuz

Ndalimi pa kriter i linjave të qyteteve, fshatrave, i mikrobuzëve të rretheve, është një faktor i rëndësishëm i kaosit të përditshëm në trafik, ku nuk kuptohet se cili është rregulli e stacioni, se vetë autobuzët për shkak të konkurrencës së pandershme që vjen deri në qendrën e qytetit, detyrohen të kthehen në furgonë që hapin derën ku të mundin e të marrin pasagjerët që mundin, me qëllim mbijetesën e tyre. Situatat në Bulevardin “Bajram Curri”, afër urës së Rrugës së Elbasanit, afër kryqëzimit “21 Dhjetori” afër ish - Farmacisë 10, pranë Shkollës Teknologjike janë shembujt e përditshëm të këtij kaosi.

- Mungesa e kontrollit efikas në rrugë

Të gjithë elementëve të mësipërm u shtohet mungesa e qartësisë së organeve të kontrollit, mbi të drejtat e tyre dhe fushën e veprimtarisë, që çon në një apati për marrjen e masave efektive. Kontrolli kryhet me fushata dhe jo me sistem të ndërtuar në bazën e një plani pune.

Pavarësisht fenomeneve të mësipërme, Bashkia e Tiranës në vijimësi po punon për përmirësimin e standarteve të trafikut dhe sigurisë rrugore, nëpërmjet projekteve të njëpasnjëshme në këtë fushë, ku së fundmi përmenden:

- Projektet e mëdha në fushën e Infrastrukturës që mundësojnë një rritje të efikasitetit të lëvizjes nëpërmjet :

Rikonceptimit të seksioneve të rrugëve (infrastruktura e zgjeruar në Urën pranë Shkollës Teknologjike, korsitë e dedikuara Bus)

Rikonceptimit të kryqëzimeve (kryqëzimi “21 Dhjetori” që sjell një standart krejt të ri)

sistemimit të lëvizjes së këmbësorëve (rampa, kangjella, barriera, sinjale te ndriçueshme, elemente sigurie për të verbërit, etj)

- Projektit të Qëndrës së Kontrolit të Trafikut duke ndërlidhur rrjetin semaforik (vala jeshile); panelet e mesazheve, që mundësojnë informacionin në rrugët kryesore, kamera për mbikqyrjen e trafikut në kohë reale, shërbimet e Infomobilitetit, dhoma e Kontrollit që integron tërë sistemin.

- Vazhdimin e projekteve në fushën e sinjalitikës (Sinjalet e ndriçueshme dhe elektronikë për lëvizjen këmbësore, sinjalet elektronike për lëvizjen e mjeteve “Bus” dhe korsive të biçikletës, sinjalizimi tabelor dhe vijëzimi përkatës, i cili prej disa vitesh hidhet sistematikisht nëpër rrugët e Tiranës, por për shkak të mënyrës së ecjes së mjeteve mbi viza e të një sërë faktorësh ambientalë, kanë një jetëgjatësi më të shkurtër. Bashkia e Tiranës, brenda vitit do të rifillojë hedhjen e një sasie të konsiderueshme boje në rrugët e qytetit.

- Projekti i Stacioneve Bus Qytetës, ku është bërë auditi i plotë i sigurisë rrugore dhe hartuar një projekt i plotë për të cilin pritet të fillojë ndërhyrja.

- Aktet normuese, në funksion të respektimit të transportit të fëmijëve, nxënësve dhe studentëve, duke u përpjekur t’i vëmë kontroll kaosit në këtë lloj transporti.

- Urdhëresat për mjetet e tonazheve të rënda që mundëson një qarkullim të limituar me orar të kësaj kategorie, në Unazë e brenda saj.

Gjithsesi, zgjidhja e këtyre çështjeve gjendet tek respektimi i rregullave të qarkullimit dhe kjo është një detyrë e gjerë, para së gjithash qytetare, por edhe pjesë e një angazhimi më të gjerë institucional.

KOMENTE