English

SHBA: Kosova ende s’ka ushtri, s’e fusim dot në nisma rajonale

Tiranë, 12 tetor, NOA – “Në momentin aktual, Kosova nuk ka Ministri të Mbrojtjes apo ushtri. Prandaj edhe anëtarësimi i saj në organizma rajonale të ushtrisë, kjo nuk është një çështje për të tashmen, por më shumë për të ardhmen”.

Kështu iu shpreh interesimit të gazetarëve ndihmës-sekretari amerikan i Mbrojtjes, Aleksandër Vershbou, i cili gjendet në Shqipëri në kuadrin e ministerialit të SEDM, ku marrin pjesë ministrat e Mbrojtjes së Evropës Juglindore.

Sipas tij, nuk mund të merret tani për tani parasysh kërkesa e kryeministrit Berisha që Kosova të përfshihet në këtë nismë, pasi megjithëse SHBA janë mbështetëse të forta të politikës së derës së hapur si parim në përgjithësi, ato nuk mund ta pranojnë Kosovën në këtë organizëm, sepse ajo ende nuk ka një ushtri të sajën.

Ndërsa sa u përket reformave të mbrojtjes që po kryhen nga Shqipëria, zyrtari amerikan i ushtrisë konfirmoi se SHBA janë shumë të inkurajuar nga përparimi që është bërë.

“Jemi të kënaqur që kemi një partner në këtë përpjekje që ka filluar që në vitet e para të 1990. Sigurisht, kjo është një përpjekje e përhershme e cila do të kërkojë zgjedhje të kujdesshme taktike në një kohë kur buxhetet janë shumë të kufizuara. Tashmë ne po shohim frytet e këtyre reformave përsa i përket kontributeve të rëndësishme dhe domethënëse të bëra nga forcat e armatosura shqiptare në Afganistan”, tha ai.

n.e/NOA

KOMENTE