Tiranë, 13 tetor, NOA – Selia rozë i ka bërë rishtas thirrje prokurorisë që të nisë hetimet ndaj zëvendësdrejtorit të Policisë së Shtetit, Agron Kuliçaj i akuzuar nga ish ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti për përfshirjen e tij në kontrabandën e naftës virxhin.
“Dëshmia e djeshme e Dritan Priftit për urdhërat që merrnin grupet e gatshme të policisë për të zhbllokuar botet e kontrabandës janë konfirmimi i kësaj përfshirjeje të tmerrshme dhe kriminale të bodigardit të Saliut dhe policisë së Lul Bashës”, deklaroi deputeti socialist, Taulant Balla.
Duke iu referuar deklaratës së djeshme të Drejtorit të Përgjithshëm të Doganave, Flamur Gjyrmishka, deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla theksoi se “pohimi i kreut te doganave se një kontrabandë e tillë ka ekzistuar përbëjnë një arsye më tepër që Prokuroria të zbardhë të vërtetën.
Por, sa i përket hetimit, deputeti Balla hodhi poshtë idenë se Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm mund të kryejë një hetim të mirëfilltë ndaj një eprori të tij, që për më tepër gëzon mbrojtjen e Ministrit Lulzim Basha.
“Por Agron Kuliçi nuk mund të hetohet nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm sepse kjo do të ishte njësoj si t’i lije një të akuzuari për vjedhje të hetojë vetveten. Agron Kuliçi nuk mund të hetohet nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, sepse rezultatet e këtij hetimi janë paragjykuar tanimë nga mbrojtja që i ka bërë atij publikisht Lulzim Basha”, theksoi deputeti socialist.
Balla nënvizoi se ministri i Brendshëm, dy vjet më parë përdori manovra të ngjashme, jo për t’u shpallur i pafajshëm, por për t’i shpëtuar gjykimit në lidhje me vjedhjen prej 230 milion eurosh në rrugën, Durrës – Kukës.
Në këtë kontekst, Balla ripërsëriti se edhe Agron Kuliçi po përdor të njëjtat marifete për t’i shpëtuar përballjes me drejtësinë, sikundër mbështetësi i tij, ministri i Brendshëm, Lulzim Basha.
Deputeti Balla rikujtoi se ish ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti kishte përsëritur në deklaratën e djeshme akuzat dhe dëshmitë për kontrabandën e naftës virgin, akuza të argumentuara që bien mbi ish bodigardin e kryeministrit Sali Berisha, Agron Kuliçi, aktualisht, zëvendësdrejtor i Policisë së Shtetit.
Deputeti socialist i bëri thirrje organit të akuzës që të hetojë të gjitha faktet dhe të provojë se udhëhiqet nga respekti për ligjin dhe kushtetutën në veprimtarinë e saj.
“Sot është momenti që prokuroria shqiptare të hedhë dritë dhe të zbardhë edhe akuzat dhe dëshmitë e tjera të Dritan Priftit për vepra penale të ushtrimit të ndikimit të paligjshëm apo korrupsionit aktiv të mistrave të tjerë të Qeverisë së Sali Berishës”, tha deputeti Taulant Balla.
Edhe njëherë deputeti socialist, ripërsëriti se konfirmimi i dëshmive për korrupsionin, aferat me grupe kriminale dhe kontrabanda janë arsyet e ardhjes së qeverisë Berisha në pushtet, arsye që më shumë se gjithçka të reklamuar i japin të drejtë akuzave të opozitës, se “kryeministri Berisha vodhi zgjedhjet e 28 qershorit për të grabitur Shqipërinë”.
mit/NOA