Tiranë, 13 tetor, NOA – Prokuroria e Tiranës dhe njësia Task Forcë kundër krimit ekonomik kanë nisur hetimet për kontrabandë nafte mbi akuzat e lëshuara nga ish ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti kundër zëvendësdrejtorit të Policisë së Shtetit, Agron Kuliçi.
Burime nga prokuria thanë se organi i akuzës po nis hetimin e çështjes për veprën penale të shpërdorimit të detyrës dhe kontarbandës së naftës nga zyrtari i policisë, parashikuar nga nenet 248 dhe 174.
Ndër veprimet e para të Task Forcës mësohet se do të jetë thirrja në prokurori e deputetit Dritan Prifti.
Sipas prokurorisë Prifti ka dijeni për rrethanat e çështjes së hetimit, ndaj duhet të japë shpjegime në cilësinë e personit që ka dijeni.
Prokuroria e Përgjithshme, në këtë kontekst hetimor rikujton edhe një herë se vlerëson dhe se është gjithmonë e vëmendshme ndaj akuzave për korrupsion apo për shpërdorim detyre, të cilat zbulohen në faqet e medias si dhe nga qytetarë të thjeshtë apo të veshur me pushtet politik, sikundër ishte edhe rasti i ish ministrit Dritan Prifti.
Prokuroria e Përgjithshme dhe Prokuroritë Gjyqësore në rrethe, bën me dije se mirëpret çdo informacion të vlefshëm që i shërben luftës kundër këtyre fenomeneve.
Hetimi i Prokurorisë vjen pas deklaratave të ish ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti i cili ka akuzuar publikisht zëvendësdrejtorin e Policisë së Shtetit, Agron Kuliçi se është i përfshirë në kontrabandën e naftës virxhin.
mit/NOA