Cilat janë ngjarjet e tjera të shënuara të shqiptarëve në historinë e tyre, krahasimi i heqjes së vizave me Skënderbeun tingëllon sikur shqiptarët s'paskan pasur asgjë në histori
Nga Fatos Lubonja
Akti i Kryeministrit tonë që shkoi në Krujë dhe tha se heqja e vizave është fitorja më e madhe e shqiptarëve që nga koha e Skënderbeut, meriton një koment, sepse sipas gjykimit tim, është dëshpërimisht dëshpërues në disa plane. Së pari, do të thosha se ky pohim të bën të mendosh se Kryeministri ynë nuk e ka haberin e koncepteve të sotme për historinë. E kam fjalën se ideja e vazhdimësisë së historisë së një populli që nga gjeneza e tij e deri më sot, me një qëllim të lartë që vjen e realizohet pas vuajtjesh e vështirësish shekullore, është një konstruksion mitologjik tashmë i provuar si shkencërisht i gabuar, por edhe si politikisht i rrezikshëm. Historia e popujve nuk është aspak diçka që ecën në mënyrë lineare dhe progresiste, e pashkëputshme; në historinë e çdo populli ka pasur periudha të ndryshme që nuk lidhen domosdoshmërisht me njëra-tjetrën me ndonjë fill, ashtu sikurse pas periudhash të ndritshme ka pasur edhe të errëta, siç janë luftërat apo diktaturat (shpesh të lidhura me realizime projektesh të tilla teleologjike) që e bëjnë edhe çështjen e së ardhmes një pikëpyetje të madhe dhe një sfidë të përditshme të paparashikuar, që ka nevojë të modifikohet gjithmonë nga përballja me realitetin. Kurse Kryeministri na dha një version të historisë që na bën të mendojmë se ai vetëm sa ka zëvendësuar nga dijenitë e tij nacional-komuniste të marra në periudhën e enverizmit, komunizmin me NATO’n dhe heqjen e vizave, çka nuk është një ogur i mirë as për mënyrën sesi i qasemi të ardhmes dhe as për arsimimin tonë të prapambetur, edhe kështu siç është. Së dyti, t'iu thuash shqiptarëve se kjo është arritja më e madhe që keni pasur në histori që në kohën e Skënderbeut, të bën të shtrosh pyetjen se cilat janë ngjarjet e tjera të shënuara të shqiptarëve në historinë e tyre, sepse kjo tingëllon sikur shqiptarët s'paskan pasur asgjë në histori, se ata, së bashku me malet e Shqipërisë, pasi u zhgënjyen nga rruga ku i udhëhoqi Partia e Punës dhe Enveri paskan pritur Partinë Demokratike dhe Sali Berishën që t'i nxjerrë në dritë. Është e vështirë të thuash se cilat janë ngjarjet më të shënuara të shqiptarëve në historinë e tyre. Por, së pari do të thosha se nëse do të fillonim të flisnim për histori shqiptarësh me ngjarje të shënuara, do të duhet të kemi parasysh historinë e shqiptarizmës, që sikurse e thonë historianët e vërtetë, fillon afërsisht në gjysmën e dytë të shekullit XIX dhe jo në kohën e Skënderbeut. E nëse do të flasim për ngjarje të rëndësishme të shqiptarizmës do të thosha se ka shumë ngjarje, duke filluar që nga botimet e para të Kristoforidhit, Lidhja e Prizreni, hapja e shkollës së parë shqipe, botimi i poemave të Naimit, për të mos folur për shpalljen e pavarësisë më 1912 dhe të tjera ngjarje në kohën e Zogut, ashtu sikurse ndoshta do të gjenim të tilla edhe në kohën e Luftës Nacionalçlirimtare apo të Enver Hoxhës - shumë më të rëndësishme sesa heqja e vizave për shqiptarët (gjithmonë pa harruar anën e kundërt të medaljes së tyre). Së treti, ka një mashtrim dhe manipulim të madh kur tentohet të reduktohet individi në historinë e kolektivitetit të tij, duke iu thënë se ngjarja më e lumtur e jetës së tij është ajo e kolektivitetit të tij. Çdokush ka arritjet e tij në jetë dhe për shumëkënd këto janë shumë më të rëndësishme se heqja e vizave. Madje, ka nga ata që mund të mos e duan Europën fare dhe kjo është e drejta e tyre. Ndërsa imponimi që i bën shteti individit shqiptar nëpërmjet fjalës së Kryeministrit dhe propagandimit të saj se ai duhet të përjetojë si ngjarjen më të madhe të jetës së tij atë të kolektivitetit, është një jehonë e atyre kohëve ideologjike kur individit i kërkohej nga pushteti ta konsideronte veten thjesht dhe vetëm si një ingranazh të makinës së madhe kolektive. Jam i bindur se po t'i pyesësh veç e veç shqiptarët që jetojnë brenda dhe jashtë atdheut se cila është ngjarja më e rëndësishme në jetën e tyre, mund të të thonë shumëçka, si lindja e fëmijëve, martesa, arritja e një suksesi në punë, apo ku di unë, por jo heqja e vizave. E në këtë kontekst duhet thënë se puna e një politikani është të bëjë sa më të lumtur një numër sa më të madh njerëzish në vendin e tij, në shtëpinë e tij, në kopshtin e tij, në shkollën e tij. Dhe nuk ka pikë dyshimi se periudha që po kalojmë, me gjithë heqjen e vizave që është diçka pozitive, nuk është nga më të lumturat që na kanë gatuar politikanët tanë, por përkundrazi, nga më të vështirat, sepse po humbasim dita ditës një shpresë më të rëndësishme se ajo që të mund të shkojmë të shohim të afërmit në Europë, shpresën se do të mund të jetojmë me cilësi jete, me drejtësi e me dinjitet në vendin tonë. Le të mos harrojmë se çështja e lëvizjes së lirë në Europë mund të konsiderohet një arritje e qytetërimit europian, edhe e jona sigurisht, por kurrsesi arritja më e madhe, aq më pak në kohën e sotme, kur në shumë vende të Europës po vihet re prirja e mbylljes ndaj të varfërve të Europës siç jemi ne, apo ku prezenca e tyre shihet si një mundësi që këta të bëjnë punët e rëndomta që s'i bëjnë më europianët. Së fundi, më duket shqetësuese kjo prirja e udhëheqësve tanë të shekullit XX-XXI, për t'u krahasuar me Skënderbeun dhe aq më tepër ajo e servilëve të tyre për t'i krahasuar me këtë. Enver Hoxha madje gati-gati ia arriti dhe ia kaloi kësaj ambicieje, sepse i ngritën një monument edhe më të lartë se Skënderbeu, mu në sheshin "Skënderbej". Është shqetësuese, së pari, sepse tregon shkëputje delirante nga realiteti, ndërkohë që roli i një politikani është pikërisht të prekë përditë me dorë realitetin dhe ta plazmojë atë. Së dyti, nuk e kam fjalën se një politikan i sotëm s'ka të drejtë të aspirojë të krahasohet me Skënderbeun. Le ta ushqejë edhe këtë ëndërr, tekefundit. Problemi është se çfarë e frymëzon këtë politikan për t'u bërë si Skënderbeu në imagjinatën e shqiptarëve. Skënderbeu është një hero ndërkombëtar i Mesjetës, që shqiptarët e morën në shekullin XIX për shkak të origjinës së tij dhe e bënë mit të nacionalizmit, si nevojë identitare për t'u identifikuar si komb krahas kombeve të tjera që po lindnin, si dhe për t'u frymëzuar në përpjekjet e tyre për pavarësi meqë kishte luftuar kundër turqve. Ky ishte realiteti i asaj kohe dhe miti u ngrit si nevojë e asaj kohe. Në realitetin e sotëm nuk kemi nevojë për identifikim kombëtar, sepse tashmë njihemi dhe as nuk jemi në ndonjë luftë. Ne sot kemi nevojë për heronj të politikës nga ata të kohës kur jetojmë, me fytyrë njeriu, që nesër mund t'i bëjmë edhe mite, por që të na frymëzojnë me punën e tyre për demokracinë, për lirinë, për të na çliruar nga nëpërkëmbja që na bën kasta që kemi në krye. Dhe Sali Berisha më duket se, për fat të keq, është shumë larg këtij heroi të politikës, pasi është kokë e këmbë në anën e nëpërkëmbësve.