Shkodër, 13 tetor, NOA - Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, është takuar sot me punonjës të strukturave të policisë të Qarkut Shkodër ku diskutoi me ta për problematika të tilla si sigurimi i qetësisë, ruajtja dhe kontrolli i kufirit si dhe për treguesit e arritur në parandalimin dhe goditjen e kriminalitetit e të shkeljeve të legjislacionit.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit u ndal në punën e bërë për parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike, duke e konsideruar këtë vit, si vitin më të suksesshëm në këtë drejtim, pavarësisht faktit se ato kultivohen në zona malore dhe të pabanuara.
Sipas Burgaj një rol të veçantë në këto arritje ka luajtur bashkëpunimi i policisë me strukturat e pushtetit vendor.
Gjatë takimit, zoti Burgaj vuri theksin në drejtim të treguesve të punës për parandalimin dhe goditjen e kriminalitetit, sidomos të disa krimeve me rrezikshmëri të theksuar, të cilat kanë ndikim të drejtpërdrejt në publik.
Burgaj kërkoi angazhimin maksimal të strukturave të Policisë në bashkëpunim me Prokurorinë për zbardhjen e autorëve të vrasjes së punonjësit të policies, Kolë Ndreshaj.
Burgaj theksoi se pas pas liberalizimit të vizave kërkohet një angazhim akoma më i madh i policisë së pikave kufitare për përmirësimin e mëtejshëm të standardeve të performancës.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit tha se falë implementimit të teknologjisë më moderne dhe integrimit së fundmi të dy sistemeve të Interpolit, është bërë i mundur arrestimi i mbi 36 personave të kërkuar vetëm në tre muajt e fundit.
Sa i përket operacioneve të zbulimit drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, i bëri thirrje punonjësve të policisë së Shkodrës, të jenë më rezultativ sa i përket rritjes së zbulueshmërisë së veprave penale, kryesisht vjedhjeve të pronës.
“Por ne presim një ndryshim thelbësor dhe ç’është më i rëndësishëm që ky ndryshim të ndihet dhe nga vetë qytetarët” – vuri në dukje Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, duke kërkuar angazhimin maksimal të strukturave policore për rritjen e mëtejshme të treguesve të performancës në këtë drejtim.
mit/NOA