Me refuzimin me çdo kusht të transparencës, Qeveria po rrezikon procesin e integrimit. Ky rrezik mund të mos bëjë me përshtypje me marrjen e vizave. Ka shumë në Shqipëri që mendojnë se vizat janë integrimi
Nga Preç Zogaj
Porsa u bë publike letra e komisionerit për zgjerimin, Stefan Fyle, për zgjidhjen e krizës ku noton që prej një viti Parlamenti, parlamentarizmi dhe për rrjedhim vetë jeta politike dhe institucionale në vend, zyrtarë të ndryshëm të shumicës qeveritare reaguan sërish me bujari të madhe deri në përgjërim. Ata shprehën gatishmërinë e tyre për të pranuar dhe votuar të gjitha amendamentet që do të propozonte opozita për Kodin e ri Zgjedhor! Të bëjmë atë që nuk e ka bërë kush në asnjë vend të botës, - tha pak a shumë Kryetarja e Parlamentit. Kryetari i LSI’së, duke përdorur ironinë e hollë që nuk tingëlloi e hollë, pra duke përdorur një armë që nuk i shkon armaturës së tij politike, shtoi pa takt se Sali Berisha i kishte ofruar opozitës rinumërimin e votave pasi të shprehej Gjykata Kushtetuese, pra as me shumë as më pak, por marrjen e pushtetit në tavolinë! - fjala e Metës. Por, Komisioneri Europian për Zgjerimin nuk kërkon këto gjëra! - replikon në heshtje dhe i fyer kushdo që është në dijeni të kësaj historie. Parlamenti Europian nuk kërkon këto gjëra! Opozita shqiptare nuk kërkon këto gjëra! Askush nuk kërkon çfarë nuk i takon opozitës. Askush nuk kërkon marrjen e pushtetit në tavolinë nga opozita! Askush nuk kërkon që amendamentet e Kodit Zgjedhor të behën vetëm nga opozita! Qeveria e ka shumë gabim që mendon kështu. Qeveria nuk duhet t'ia lerë të gjitha opozitës. Publikut nuk i vlen që amendamentet e Kodit Zgjedhor të behën vetëm nga një palë. Natyrisht, tërë kjo bujari e madhe e Qeverisë është për të ngatërruar stacionet. Gjërat kanë radhë. Në fillim transparenca e zgjedhjeve të kaluara, pastaj rregullimi i Kodit të Ri zgjedhor në bazë të 34 rekomandimeve të OSBE-ODHIR’it. Kjo është radha. Qeveria kërkon ta kapë nga bishti. Ajo tregohet bujare për të prishur radhën, për të shmangur transparencën. Ajo nuk do të ishte kaq zemërgjerë po të pranonte hapjen e kutive. Përkundrazi. Por, në këtë moment ajo është gatshme të këpusë ç'ti vijë në mendje si e si që të zhurmojë dhe të zbusë me një gatishmëri false presionin e ndërkombëtarëve për ngritjen e Komisionit Hetimor Parlamentar. Rezoluta e Parlamentit Europian kërkon ngritjen e komisionit, duke përcaktuar qartë modalitetet dhe objektin e hetimit: materialet elektorale. Fyle në letrën e tij i kërkon drejtpërsëdrejti Kryeministrit Berisha të zgjidhë krizën e transparencës. Është një zakon i keq i zyrtarëve shqiptarë të këtyre viteve të fundit që të mos përgjigjen për atë që iu kërkohet, duke shpikur përgjigje për gjëra që nuk ua kërkon njeri. Nuk i kërkon kush Qeverisë shqiptare të bëjë një Kod me dorën e opozitës, si askush tjetër në botë! As vetë opozita nuk do ta pretendonte këtë, kur të vinte momenti për t'u ulur për Kodin. Qeverisë dhe Kryeministrit u kërkohet t'u japin fund akrobacive dhe të zgjidhin krizën. Teksti i letrës së Komisionerit Fyle tregon qartë se kërkesa kësaj radhe i drejtohet Sali Berishës jo vetëm si shef i shumicës, pa të cilën nuk mund të ketë zgjidhje në Kuvend, por edhe si shef i bllokimit të zgjidhjes. Tash e kanë kuptuar në Bruksel se nuk ka nevojë t’u shkruhet më "të dyja palëve", siç ka ndodhur deri me sot; nuk ka më vend të shtyhen të dyja palët drejt kompromisit. E kanë kuptuar kush po i tallë në Tiranë. E kanë kuptuar mekanizmin bizantinist të pengimit me çdo kusht të transparencës nga Qeveria. E kanë kuptuar se opozita e ka bërë të veten, duke u tërhequr në emër të zgjidhjes nga shumë prej pretendimeve të fillimit dhe tani nuk i mbetet asnjë rrugë tjetër veçse të heqë dorë për fare ose të hidhet në protesta. Opozita shqiptare nuk mund të hiqte dorë në asnjë lloj skenari nga misioni i saj për çlirimin dhe ringritjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme nëpërmjet transparencës së zgjedhjeve të shkuara. Ca më pak mund të heqë dorë tani kur ka në favor një rezolutë të Parlamentit Europian, të atij Parlamenti që po e ngremë në qiell me të drejtë sepse votoi heqjen e vizave për shqiptarët. Vetën naivët dhe provokatorët politikë mund të pretendojnë që opozita të braktisë aksionin e saj politik numër një të vitit dhe mbarë historisë së saj pikërisht tani kur ka siguruar mbështetjen e plotë të Parlamentit Europian. Në pamje të parë paradoksi i madh i përpjekjeve të opozitës për transparencë është kthimi i saj tek propozimi i vjetër i Sali Berishës për të hetuar materialet zgjedhore. Por, si për të provuar se nuk e ka pasur përnjëmend kur e ka thënë, tani që e përqafuan socialistët, Berisha nuk flet më për opsionin e tij. Me fjalë të tjera, nuk pranon asnjë zgjidhje, duke e akuzuar kësisoj vendin e tij si një vend ku ligjet dhe Kushtetuta pamundësojnë transparencën e zgjedhjeve. Qeveria thotë se nuk e lejon Kushtetuta të pranojë propozimet e opozitës, por ndërkaq i thotë kësaj të fundit - shko në Gjykatën Kushtetuese se mbase të lejon ty! Ky është një shembull tjetër i absurditetit që prodhon një kundërshtim i pambështetur në ligj dhe në arsye. Me refuzimin me çdo kusht të transparencës, Qeveria po rrezikon procesin e integrimit. Ky rrezik mund të mos bëjë me përshtypje me marrjen e vizave. Ka shumë në Shqipëri që mendojnë se vizat janë integrimi. Për të tjerat, punë e madhe. Ky është një mendim provincial që nuk do t’i kishte hije një Qeverie. Integrimi është një koncept dhe një realitet shumë më i gjerë se sa lëvizja e lirë. Asnjë interes i pjesshëm apo i njëanshëm i Qeverisë nuk e përligj ngadalësimin apo stopimin e procesit të integrimit europian të Shqipërisë. Refuzimi i transparencës nuk i përligj pasojat që ka prodhuar e do të prodhojë për vendin. Me këtë shqetësim, komisioneri për zgjerimin, Stefan Fyle, i është drejtuar drejtpërsëdrejti Kryeministrit Berisha. Reagimi i tij dhe i bashkëpunëtorëve të tij lë të kuptojë se Fyle nuk ka kujt t'i shkruajë, se në Tiranë nuk dëgjojnë. Por, nëse nuk dëgjojnë zyrtarët, janë qytetarët që dëgjojnë, është publiku. Demokracia është e të gjithëve.