Tiranë, 13 tetor, NOA - Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto është nisur për një vizitë tre ditore në Bruksel.
Zyra e shtypit e MPJ-së, në një komunikatë njofton se ministri Haxhinasto do të marrë pjesë në Takimin e Ministrave të Punëve të Jashtme dhe të Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s, që do të zhvillohet në Bruksel, nesër, në 14 tetor.
Në këtë samit ministrat e Punëve të Jashtme dhe të Mbrojtjes do të përcaktojnë prioritetet e Aleancës, në përgatitjet për Samitin e Krerëve të shteteve dhe qeverive, që do të zhvillohet në Lisbonë, në datat 19-20 nëntor.
Gjatë qëndrimit të tij në Bruksel, zoti Haxhinasto do të zhvillojë takime dypalëshe me Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm belg, Stiven Vanackere, si dhe do të ketë takime me Komisionerin Evropian për Politikën e Zgjerimit dhe Fqinjësisë, Stefan Fule, si dhe me eurodeputetë, ndër të cilët edhe me eurodeputetët Shulz, Fajon, Albertini, Sëoboda dhe Roucek.
Temat kryesore të këtyre takimeve do të jenë marrëdhëniet dypalëshe, ecuria e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë, si dhe zhvillimet rajonale.
mit/NOA