Prishtinë, 13 tetor, NOA – Eskorta amerikane e Sekretares së Shtetit, Hillari Klinton para pak minutash mbërriti në Kosovë.
Sekretarja Amerikane me njëherë pas mbërritjes është pritur nga Presidenti në detyrë, dhe Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi si dhe Kryeministri Hashim Thaçi.
Zonja Klinton ka nisur tashmë diskutimet e veçanta me krerët e Kosovës, si dhe ministrin e Jashtëm, Skënder Hyseni, ku në qendër janë nisja e bisedimeve të paralajmëruara teknike me Beogradin dhe pajtimi mes dy vendeve, që duan të integrohen në Evropë.
Vizita e sekretares amerikane të shtetit është një moment shumë i rëndësishëm për politikën e Kosovës, kur tashmë njihet mbrojtja që SHBA-të i kanë bërë pavarësisë së shtetit të ri të Evropës.
Zonja Klinton është pritur në një Kosovë festive, e mbuluar me flamuj kuqezi.
Ende nuk dihet nëse sekretarja amerikane, Klinton pas takimeve të veçanta me autoritetet e larta të Kosovës, do të mbajë një fjalim apo jo.
Pas këtyre bisedimeve zonja Klinton do të vizitojë edhe Manastirin e Graçanicës, institucionin kult të serbëve të Kosovës.
Sekretarja amerikane e Shtetit mbërriti në Kosovë pas vizitës së saj në Serbi, ku bisedoi me Presidentin serb, Boris Tadiç.
Dy autoritetet kanë ndarë qëndrime të ndryshme sa i përket Kosovës, pasi Tadiç ka nënvizuar se Serbia nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës, porse është e gatshme të nisë bisedimet e gjithanshme me autoritetet e Kosovës.
Tadiç është shprehur se dialogu për çështjet e përditshme të dy vendeve duhet të nisë sa më parë dhe ka garantuar se Serbia kërkon bisedime paqësore.
Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton ka theksuar gjatë takimit kokë më kokë me presidentin serb, se rezolutat e 9 shtatorit që u votuan në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara janë një argument dhe platformë e mirë për nisjen e dialogur mes Serbisë dhe Kosovës, për çështjet e përditshme që u përkasin dy vendeve, një mundësi e mirë kjo që të përfitojnë sipas Klinton, si populli i Kosovës edhe ai i Serbisë.
mit/NOA