Durrës, 13 tetor, NOA – Nesër në Durrës organizohet konferenca rajonale e Forumit të Evropës Juglindore për Ndërmjetësimin (SEEMF), ku do të prezantohen, diskutohen dhe shkëmbehen përvojat më të mira midis vendeve partnere të SEEMF-it e më gjerë, në fushën e zbatimit të ndërmjetësimit në çështjet tregtare, të drejtësisë restauruese, me një fokus të veçantë për të miturit, ndërmjetësimit në çështjet familjare, të komunitetit, në shkollë etj.
Përmes prezantimit të përvojave më të mira nga vendeve pjesëmarrëse, konferenca përbën një hap të rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit në fushën e zhvillimit të mëtejshëm të formave alternative të zgjidhjes së konflikteve, veçanërisht ndërmjetësimit në të gjitha vendet e rajonit si dhe konsolidimin e mëtejshëm të rrjetit të ndërmjetësimit në Evropën Juglindore.
Konferenca organizohet në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë së Republikës së Shqipërisë, dhe me mbështetjen e Korporatës Financiare Ndërkombëtare (IFC), UNICEF-Shqipëri, Shkolla e Magjistraturës, Projekti Gjerman për Ndërmjetësimin Integrues (CSSP) dhe organizatat partnere të SEEMF dhe realizuar nga Fondacioni “Zgjidhja e Konflikteve dhe Pajtimi i Mosmarrëveshjeve” (FZK), me mbështetjen e IFC-së, UNICEF dhe Komisionit Evropian.
Në këtë Konferencë janë ftuar të marrin pjesë pjesëmarrës nga të gjitha vendet partnere të SEEMF-it, respektivisht nga Kroacia, Sllovenia, Serbia, Bosnja & Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia dhe Shqipëria, kryesisht përfaqësues nga organizata aktive në fushën e promovimit dhe zbatimit të formave alternative të zgjidhjes së konflikteve/ndërmjetësimit si dhe eksperë të fushës nga Norvegjia dhe Anglia.
Konferenca synon të dalë me disa përfundime dhe rekomandime konkrete për mundësitë, hapësirat dhe perspektivat e zhvillimit të mëtejshëm të ndërmjetësimit në vendet e Evropës Juglindore, të standardizimit të shërbimit të ndërmjetësimit bazuar në instrumentet ndërkombëtare si në: çështjet civile, tregtare, penale, të familjes etj.
n.e/NOA