English

Merr frymë “Qyteti i Arteve” financohen 14 projekte

Tiranë, 13 tetor, NOA/Milena Selimi - Ideja e kahershme e një qendre artistike brenda Akademisë së Arteve të Bukura në Tiranë duket se po i afrohet realizimit.

Po bëhet realitet më në fund projekti ambicioz i Akademisë së Arteve, i quajtur “Qyteti i Arteve”.

Burime të brendshme të këtij institucioni shpjegojnë se ky program është mbështetur nga selia e kryeministrit Berisha, me një fond prej 14 milionë lekësh.

Vetëm pak muaj më parë, Rektorati i Akademisë së Arteve u shpreh në media se ka nisur zbatimin e një programi ambicioz, me qëllim realizimin e projekteve artistike të studentëve, të sapodiplomuarëve dhe personelit akademik të saj.

Programi, që titullohet “Qyteti i Arteve”do të mbështesë deri në fund të vitit 2010 rreth 14 projekte artistike, të shpërndara në Fakultetin e Muzikës, Artit Skenik dhe Artit Figurativ.

I emërtuar si një institucion artistik me potencial të rëndësishëm krijuesish, në vite është tentuar të krijojë bërthamën e tij të artit, me studentë dhe pedagogë, por duket se nuk ka arritur të thithë energjinë dhe resurset artistike.

Por si do të funksionojë projekti “Qyteti i Artit”?

Ndër objektivat e programit renditen: shfaqja e vlerave të pjesëmarrësve, nxitja e projekteve të përbashkëta studentë-pedagogë-të sapodiplomuar, ngritja e cilësisë artistike interpretuese dhe krijuese, rritja e pranisë së Akademisë së Arteve në publik, organizimi i aktiviteteve në vazhdimësi si bienale e artistëve të rinj, festivale muzikore e filmash.

Në kuadër të këtij programi, rektori i kësaj akademie, Petrit Malaj deklaroi të hapur mundësinë për të bërë aplikimin e projekteve.

Zyra e koordinimit të projekteve, e ngritur enkas për programin “Qyteti i Arteve”, do të shqyrtojë paraprakisht nëse aplikimet do të përmbushin kriteret.

Më pas dosjet do t’i kalojnë Bordit të Projekteve Artistike të Akademisë.

Për më shumë informacion mbi programin dhe aplikimet, Akademia e Arteve ka vënë në dispozicion faqen e saj të internetit.

Në një intervistë për shtypin e përditshëm, Altin Basha, regjisor dhe pedagog në AAB shprehej se “Akademia e Arteve ka resurset e duhura për të qenë një qendër cilësore e prodhimit të Artit në Tiranë”.

Në këtë mënyrë krijohet një profil i tre qendrave të prodhimit të teatrit dhe të artit në përgjithësi: Teatri Kombëtar, Teatri Metropolit, Teatri i Akademisë së Arteve, tha regjisori Basha.

m.s/mit/NOA
KOMENTE