Tiranë, 13 tetor, NOA – “Nuk kam asnjë sekondë të tepërt për të shpërdoruar”, iu është përgjigjur zv/kryeministri Ilir Meta sot gazetarëve, ndërsa ata tentuan ta pyesin në lidhje me akuzat e bëra publike nga Dritan Prifti ditën e djeshme.
E duket se me këtë frazë, kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim e ka mbyllur njëherë e mirë diskutimin mbi çështjen e largimit të ish-ministrit të Ekonomisë nga kjo forcë politike, duke mos dashur ta zgjasë më tepër nga sa ka ndodhur deri tani debatin publik mes palëve rreth saj.
Meta e ka mbajtur një qëndrim të tillë ndërsa dilte nga një seancë dëgjimore në komisionin parlamentar të Sigurisë Kombëtare, mbi sigurinë e sistemit energjetik të vendit tonë.
Aty ai foli para deputetëve të komisionit në lidhje me masat e ndërmarra në lidhje me përballjen e situatave emergjente që mund krijohen në të ardhmen.
Duke bërë të ditur se u ka kërkuar një raport të gjithë ministrave përgjegjës, sipas fushave, në lidhje me zbatimin e detyrave që janë lënë gjatë situatës emergjente që u krijua në muajt e parë të vitit 2010, kur pati përmbytje në zonën e Shkodrës dhe Nënshkodrës, si dhe për detyrat e përhershme që ka çdo institucion në raste emergjente për të qenë në gatishmëri maksimale.
Zv/kryeministri tha se këtë çështje do ta ngrinte për diskutim edhe në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të ditës së sotme.
Në fund, Meta bëri me dije se pranë këtij institucioni funksionon në mënyrë të përhershme grupi që merret me ndjekjen e situatës për të evituar çdo emergjencë që mund të krijohet.
n.e/NOA