English

Një moment krenarie

Ne sot kemi shansin që të jemi pak ditë pasi Parlamenti Evropian miratoi me një zë të fortë hapjen e të gjitha atyre procedurave, që qytetarët shqiptarë të lëvizin të lirë në Evropë, aty ku kemi lindur dhe aty ku dëshirojmë të jemi pjesë zyrtare e kësaj familjeje të madhe e të vjetër, sikurse është familja evropiane. Kjo është një arsye më shumë që shkolla “Flatrat e Dijes” të jetë një moment krenarie, një moment për ta vlerësuar, për ta inkurajuar, për të inkurajuar edhe pedagogët dhe mësuesit që janë pjesë e këtij bashkëpunimi, por edhe biznesin, i cili natyrisht që ka të gjithë lirinë e vet sot për të ushtruar të drejtën e investimit në këtë fushë

Lexoni dhe lajmin mbi aktivitetin

Nga Prof. Dr. Bamir Topi

President i Republikës

Të dashur nxënës, Të dashur mësues, I nderuar zoti Gega, E nderuara zonja Drejtore, Të nderuara autoritete lokale të Fierit, Më lejoni të shpreh në radhë të parë një mirënjohje për ju që më dhatë mundësinë që vij në Fier dhe të përjetoj çaste shumë emocionuese. Çastet emocionuese natyrisht kanë shumë arsye. Së pari, sepse vij në një qytet, i cili ka një traditë të lashtë dhe një traditë të re. Në një qytet, i cili rritet dhe zhvillohet në mënyrë shumë dinamike. Në një qytet ku arsimi, edukimi, dija janë të pranueshme dhe besoj që është elementi më substancial që garanton të tashmen dhe sidomos të ardhmen. Për këtë ju përgëzoj dhe ju falënderoj me cilësinë e Presidentit të Republikës, por edhe si pedagog, si një njeri që ka ardhur nga rrethet akademike dhe si qytetar. Ju falënderoj! Të dashur nxënës, Duke e vizituar këtë shkollë, pikërisht në dhjetëvjetorin e themelimit të saj, duke parë këtë super teknologji, e cila inaugurohet, promovohet për herë të parë në eksperiencën shqiptare, një nga ato pak eksperienca që e shikojmë edhe në rajonin tonë, një nga ato eksperienca të reja që e shikojmë dhe në kontinentin tonë, tregojnë që Shqipëria, sidomos ju nxënës, brezi i ri jeni jo vetëm me fat që keni lindur në këtë periudhë, por jeni me fat, sepse tek ju po investohet fuqishëm, në radhë të parë nga prindërit tuaj, por edhe nga institucionet, nga shoqëria dhe nga biznesi. Ky është një rast elokuent, një rast i artë për ta demonstruar se sa bukur bashkëpunojnë institucionet, biznesi, shoqëria dhe familja. Dhe ky është një element që duhet të promovohet në të gjitha shkollat e Shqipërisë për të demonstruar që edukimi është elementi bazal që duhet të garantojë të ardhmen e shoqërisë shqiptare. Ne sot kemi shansin që të jemi pak ditë pas një momenti shumë të rëndësishëm për shoqërinë tonë, pak ditë pasi Parlamenti Evropian miratoi me një zë të fortë hapjen e të gjitha atyre procedurave, të cilat tashmë janë në finalen e vet, që qytetarët shqiptarë të lëvizin të lirë në Evropë, aty ku kemi lindur dhe aty ku dëshirojmë të jemi pjesë zyrtare e kësaj familjeje të madhe e të vjetër, sikurse është familja evropiane. Askush më shumë se sa ju të dashur fëmijë, do të gëzojë frytet e kësaj hapjeje, e kësaj hapjeje mjaft të dëshiruar për prindërit tuaj, për mësuesit tuaj, të cilët në kushtet e një izolimi sikurse kemi qenë ne, kanë pasur të gjithë vullnetin për t’u arsimuar dhe për të transmetuar sot tek ju jo thjesht nëpërmjet ninullave tradicionale, por edhe nëpërmjet ninullave shumë tradicionale që i kanë zili edhe shkollat evropiane, në standardet e të cilave ne duam të shkojmë e t’u afrohemi në të gjitha cilësitë e tyre. Kjo është një arsye më shumë që shkolla “Flatrat e Dijes” të jetë një moment krenarie, një moment për ta vlerësuar, për ta inkurajuar, për të inkurajuar edhe pedagogët dhe mësuesit që janë pjesë e këtij bashkëpunimi, por edhe biznesin, i cili natyrisht që ka të gjithë lirinë e vet sot për të ushtruar të drejtën e investimit në këtë fushë. Por, në mënyrë absolute nuk duhet të harrojmë që investimi më i rëndësishëm, më fisnik, ndoshta me më pak të ardhura, është investimi në fushën e dijes. Sepse një investim i fortë sot në fushën e dijes do të thotë një riciklim shumë pozitiv i të ardhurave në të ardhmen, por në radhë të parë i kualiteteve të intelektualëve që natyrisht Fieri i ka me shumicë, por ne dëshirojmë që t’i ketë më me shumicë në të ardhmen. Aplikimi për herë të parë i tabelave interaktive, apo ndërvepruese multimediale është një teknologji për të cilën edhe ata që kanë pasur eksperienca pedagogjike, ndoshta nuk kanë informacionin e duhur. Kjo do të thotë që koha sot ka ofruar shumë mundësi për ju të dashur fëmijë që të mësoni në mënyrë më të kualifikuar, në mënyrë më argëtuese, jo bezdisëse. Ju nuk jeni më të influencuar nga kualitetet e ndryshme të pedagogëve, sepse këto shkolla, të cilat janë mbi bazën e një metodologjie të kualifikuar të politikave arsimore në Shqipëri, vijnë përmes një teknologjie, e cila do të ishte patjetër në shërbim ë dijeve tuaja, të së ardhmes tuaj. Fakti që nga kjo shkollë, mbi bazën e të gjithë informacioneve që kam, kanë dalë nxënës të cilët janë shumë kompetitivë në shkolla private, apo publike, qoftë në universitete shqiptare, por edhe ato të huaja tregojnë që kjo shkollë mbi të gjitha ka vendosur me shumë seriozitet kualitetin mbi sasinë. Por aty ku kualiteti ësthë i lartë, edhe sasia vjen e rritet, interesi vjen e rritet dhe ky është fryt patjetër jo vetëm i investimeve që ka bërë zoti Gega, por edhe i një bashkëveprimi shumë të rëndësishëm të biznesit, pikërisht me pedagogjinë, me mësuesit, me institucionet lokale dhe me të gjitha ato institucione, të cilat janë shumë të interesuara që arsimi të jetë baza e këtij dimensioni të ri që do të jetë Shqipëria e nesërme. Unë pa dashur që të zgjatem, dëshiroj që t’ju uroj juve në radhë të parë, që jeni përfituesit e drejtpërdrejtë, familjet tuaja, por në mënyrë publike dëshiroj të falënderoj dhe të inkurajoj zotin Gega, stafin pedagogjik, të gjitha autoritetet lokale dhe besoj me këtë urim ne dëshirojmë që ky lloj investim të mos jetë i vetmi, por të përkrahet edhe nga qytetet e tjera të Shqipërisë, për ta bërë teknologjinë elementin më atraktiv të fëmijëve, që do të jenë nesër qytetarë të denjë të Evropës së bashkuar.” (*) Fjala e mbajtur sot, te shkolla “Flatrat e Dijes”, Fier

Lexoni lajmin mbi aktivitetin

KOMENTE